Mbrojtja e Thaçit parashtron mocion ndaj akuzave të reja, pretendon se kanë defekte

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 11:09 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka parashtruar mocion ndaj akuzave të reja për krime lufte në Semetishtë dhe Budakovë, duke pretenduar se ato kanë defekte.

Në shkresën e mbrojtjes, thuhet se akuzat e reja të konfirmuara nga gjyqtari i procedurës paraprake më 22 prill 2022 janë të mangëta për shkak të mungesës së specifikës dhe gabimeve të rëndësishme në deklarim.

Mbrojtja ka kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të urdhërohet që të ofrojë një specifikë më të madhe për sjelljen që pretendon nga ana e Thaçit, në rast të dështimit të saj, që ZPS të urdhërohet të zvogëlojë, ngushtojë ose heqë akuzat.

“Është parashtruar, në përputhje me jurisprudencën ndërkombëtare, se kur defektet në aktakuzë shfaqen në fazën paraprake të gjykimit, ZPS nuk mund të përmbahet nga ndryshimi i aktakuzës duke argumentuar se do t’i korrigjojë të gjitha të metat përmes mbështetjes materiale ose të ngritur pas aktakuzës”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, është përgjegjësi e ZPS-së që të informojë Thaçin për rastin e saj.

“Atij nuk duhet t’i kërkohet që ta përpunojë atë duke bashkuar skemën e redaktuar shumë, materialin mbështetës ose dosjen paraprake për t’i bashkuar ato. Kjo në mënyrë të palejueshme do ta zhvendoste barrën mbi Thaçin, duke shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë sipas nenit 21 të Ligjit, neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Do të duhet gjithashtu më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij nëse ai duhet të bashkojë çështjen kundër tij”, thuhet nga mbrojtja.

Gjithashtu nga mbrojtja thuhet se identiteti i autorëve të drejtpërdrejtë është definuar tepër gjerësisht.

“Pretendimi i identitetit të anëtarëve të NPK-së që kanë kryer drejtpërdrejt krimet e akuzuara në paragrafët 68, 105, 157, 93 dhe 174 të Aktakuzës së re është palejueshmërisht e paqartë. Konkretisht, autorët në secilin prej këtyre paragrafëve (përveç paragrafëve 68 dhe 174) përmenden thjesht si “pjesëtar/ët e UÇK-së” pa asgjë më shumë”, thuhet tutje.

Po ashtu thuhet se pretendimi i identitetit të viktimave në paragrafët 68, 105 dhe 93 të aktakuzës së re është palejueshëm i paqartë.

Sipas mbrojtjes, identiteti i viktimave janë fakte materiale që, nëse është e mundur, duhet të deklarohen në aktakuzë “pasi identiteti i viktimës është informacion i vlefshëm për përgatitjen e rastit të mbrojtjes”.

“Pretendimi i vendndodhjes së kryerjes së krimeve të supozuara në paragrafët 68, 105, 157 është palejueshëm i paqartë. Ku saktësisht në Budakovë dhe Semetishte kanë ndodhur krimet që pretendohet se kanë ndodhur në ato paragrafë të Aktakuzës?”, thuhet tutje.

Po ashtu thuhet se roli i Thaçit në krimet e akuzuara është i pamjaftueshëm.

“Paragrafët 68, 105, 157, 93 dhe 174 janë të mangëta pasi nuk pohojnë faktet materiale të përfshirjes së Thaçit në krimet e akuzuara. Rrjedhimisht, është e paqartë se çfarë pretendohet se ka qenë roli i Thaçit në këto krime”, thuhet nga mbrojtja.

Të ngjashme