Mbyll punimet Asambleja Parlamentare e SEECP-së nën Kryesinë e Kosovës

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Nën udhëheqjen e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është mbajtur Seanca e 7-të Plenare e Asamblesë Parlamentare të SEECP.

Në këtë aktivitet morën pjesë delegacionet nga: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bullgaria, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, si dhe zv. Presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Ëieland, Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RÇ), Majlinda Bregu, Përfaqësuesja e Asamblesë së Baltikut. Gjersa Komisioneri për Zgjërim, Oliver Varhelyi, i përshëndeti të pranishmit përmes një video mesazhi.

Në fjalimin hyrës, Kryetarja Osmani potencoi ndikimin e pandemisë globale Covid-19 në sferën politike, ekonomike dhe sociale të shteteve të rajonit të Evropës Juglindore, me ç’rast përmendi ndihmën e ofruar nga BE-ja për lehtësimin e rikuperimit pas pandemisë dhe e konsideroi BE-në si një prej partnerëve më të besueshëm dhe kredibil. Ajo ka vënë theks te veçantë tek rëndësia e integrimit të vendeve të Ballkanit Perendimor në BE dhe në NATO. Për më tepër, ajo potencoi rëndësinë që BE të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave, nga që Kosova është duke punuar fuqishëm në këtë drejtim dhe mbi të gjitha, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin pa viza.

Lidhur me Kryesimin e Kosovës me SEECP, para Kryetarëve të Parlamenteve të Rajonit dhe Shefave të delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse të AP të SEECP, UD i Sekretarit të Përgjithshëm, Skënder Durmishi, theksoi se udhëheqja e këtij forumi rajonal është marrë me seriozitet nga Kosova, ndërsa vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin dhe partneritetin rajonal, sidomos përballë një sfide të përbashkët, siç është Covid-19.

Musafir i veçantë i këtij Sesioni ishte zv/kryetari i Parlamentit Evropian, Rainer Ëieland, i cili u shpreh se mbajtja e një asambleje të tillë parlamentare është mundësi që garanton tutje dhe siguron stabilitet, paqe dhe siguri në vendet e rajonit. Sipas tij, kjo është kultura që kultivohet në shtetet me sistem demokratik të qeverisjes, e për të përforcuar ende këtë, duhet të fuqizohen vazhdimisht dhe të orientohen si duhen të rinjtë.

Më pas, Kryetarja znj. Osmani Sadriu, njeherësh edhe Kryetare e AP të SEECP hapi debatin e përgjithshem me temën: “Perspektivat e bashkëpunimit rajonal në epokën pas pandemisë: koha për një integrim më të madh”. Lidhur me debatin, Kryetari i Asamblesë të Kuvendit Kombëtar të Turqisë, Mustafa Şentop, theksoi se integrimi brenda rajonit dhe zhvillimi i mekanizmave për përforcimin e marrëdhënieve fqinjësore është vital për zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore.

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, potencoi se Mali i Zi ishte ndër të parat shtete që kanë përmbyllur evidentimin e rasteve me Covid-19, falë bashkëpunimit me shtetet e rajonit. Sipas tij, e një rëndësie të veçantë tashmë është rimëkëmbja ekonomike dhe për këtë, sipas tij, duhet zhvilluar një dinamikë të re të komunikimit ndërshtetëror, e cila prioritizon mbrojtjen e vlerave demokratike.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, shprehu qëndrime pozitive për organizimin e kësaj konference në formë virtuale, duke bërë thirrje për inkurajimin e të gjitha formave të dialogut dhe thellimit të bashkëpunimit parlamentar. Sipas tij, bashkëpunimi, koordinimi dhe integrimi, janë domosdoshmëri për të përballuar sfidat që vendet kanë para vetes, si kjo e fundit që lidhet me pandeminë, si dhe sfidat e përbashkëta si punësimi, rritja ekonomike, ulja e varfërisë etj.

Sesioni u vlerësua pozitivisht edhe nga Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Goran Misovski, i cili theksoi se ky forum ka kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve dhe rritjen e paqes e të stabilitetit rajon. Sipas tij, është mjaft e rëndësishme që në baza të rregullta të ndërtohen marrëdhënie transparente ndërshtetërore, duke tejkaluar kështu mospajtimet dhe duke i lënë hapësirë arritjes së zgjidhjeve të përbashkëta.

Nga delegacioni bullgar fjalën e mori Evgeniya Angelova, UD e Kryesuesit të delegacionit të Bullgarisë, e cila potencoi se në një situatë të tillë pandemie “të gjithë jemi duke mësuar se si të gjejmë mënyra taktike të bashkëpunimit me shtetet e tjera”. Duke ditur pasojat e kësaj pandemie, ajo theksoi se duhet të merren vendime urgjente në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke qenë të koordinuar dhe transparentë, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe duke mundësuar rikuperim sa më të shpejtë pas pandemisë.

Ndërsa, Kryesuesi i delegacionit të Kroacisë në SEECP, Marko Vesligaj, përmendi sfidat që kanë hasur gjatë përballimit me pandeminë Covid-19 dhe kërkoi bashkëpunim për të dalë sa më lehtë nga kjo situatë. Ai shprehu mirënjohje të thellë për ndihmën e pranuar nga BE-ja për tejkalimin e pandemisë.

Këtij Sesioni Plenar, respektivisht takimi të Kryetarëve të vendeve të rajonit dhe dhe kryesuesëve të delegacioneve të vendeve pjesëmarrese në AP të SEECP, përmes një video mesazhi iu drejtua edhe Komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjërim, Oliver Varhelyi. Gjatë këtij video incizimi, z. Varhley deklaroi se asnjë shtet nuk ka mundur të përballet i vetëm me pandeminë, andaj, sipas tij, bashkëpunimi është më se i nevojshëm. Ai përmendi pakon e BE-së të ndarë për shtetet e rajonit për luftim e pandemisë Covid-19 dhe bëri thirrje për krijimin e vizioneve të reja për rikuperim pas saj. Të pranishmëve gjatë këtij takimi online, iu drejtuan edhe përfaqësuesit e organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, të cilët po ashtu paraqitën shqetësimet e tyre rreth ndikimit negativ që Covid-19 ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë, dhe duke bërë thirrje për përforcim të mëtutjeshëm të raporteve mes shteteve.

Në emër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, theksoi se iniciativat për përforcim të raporteve vazhdojnë të mbesin të rëndësishme në periudhën e rimëkëmbjes pas Covid-19. Ajo tha se sekretariati është duke punuar në krijimin e strategjive dhe politikave të duhura për të ngritur më tej vetëdijen qytetare rreth fuqizimit të demokracisë dhe shprehu gatishmërinë për të asistuar tek shtetet në nevojë.

Pas këtyre fjalimeve, drejtuesja e kësaj seance Kyetarja Osmani ritheksoi propozimin nga takimi i Komisionit Qendror të Asamblesë Parlamentare të SEECP të udhëhequr nga deputetja Fitore Pacolli, që selia e sekretariatit të përhershëm të SEECP të jetë në Prishtinë dhe potencoi se do të përgatiten të të gjitha dokumentet e nevojshme lidhur me këtë propozim, dokumente këto të cilat shtetet e sipërpërmendura do të mund t’i rishikojnë dhe të paraqesin qëndrimet e tyre. Kjo do të nënkuptonte që Kosova për herë të parë të ishte selia e një organizate rajonale me influencë, siç eshte SEECP.

Në fund, pjesëmarrësit në mënyrë unanime dhe pa asnjë vërejtje e aprovuan Raportin dhe Rezolutën e Komisionit të Përgjitshëm, planin vjetor të punës së Asamblese 2020/2021, si dhe dokumentin kryesor, Deklaratën Finale.

Gjatë këtij sesioni, Republika e Kosovës për herë të parë u përfaqësua pa fusnotë, me simbole shtetërore, flamur e stema, dhe me emrin e vet kushtetues.

Kryesimin e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-lindore (SEECP) për vitin 2020-2021 do ta ketë Turqia, ndërsa Kosova do të udhëheq dy komisione: Komisionin për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë dhe Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji.

Të ngjashme