MD-ja nuk tregon nëse do ta shkarkojë Driton Lajçin që po hetohet nga Haga

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Miliona euro mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbrojtja dhe mbulimi i shpenzimeve që do të bëhet për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale. Krejt procesi do të koordinohet përmes zyrës për mbrojtjen e të akuzuarve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe udhëhiqet nga Driton Lajçi.

Nga MD-ja nuk kanë pranuar që të përgjigjen në pyetjet e gazetës duke thënë se gjithçka do të trajtohet në mënyrë konfidenciale, derisa, njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë kërkuar më shumë transparencë, sh

Është vetëm çështje muajsh, prej kur zyra e prokurorit të Specializuar në Hagë të bëjë të ditur se kush janë personat e parë që iu është ngritur aktakuzë nga Specialja. Kështu, të paktën është thënë në njoftimin e fundit që e kanë bërë për media.

Kurdo që të fillojë puna, të gjithë të akuzuarit, do të kenë mbrojtje dhe mbulim të shpenzimeve nga zyra për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale që funksionon në Kosovë dhe udhëhiqet nga Driton Lajci.

Për ta bërë këtë nga buxheti i shtetit parashihen që të jepen miliona euro që të ju sigurohet personave të akuzuar mbrojtje juridike dhe financiare në proceset gjyqësore.

Sipas ligjit, do të mbulohen shpenzimet për secilin person që akuzohet nga Gjykata Speciale, si për angazhimin e mbrojtjes apo avokatit të tij, e deri te shpenzimet e udhëtimeve jashtë Kosovës për të dhe familjen. Aty përfshihet edhe mbulimi i shpenzimeve për procedurat gjyqësore e deri te kompensimi i atyre personave të cilët gjykata do t’i shpallë të pafajshëm.

Qeveria e Kosovës tre vite më parë sa ishte në krye te ekzekutivit Isa Mustafa e kishte bërë ndarjen e 1.5 milionë eurove, derisa, shuma të mëdha parash ishin ndarë edhe në qeverinë e kaluar, atëherë kur nga zyra e prokurorit të specializuar filluan që të dërgohen ftesat e para.

Ani pse një gjë të tillë nuk e parasheh ligji, Qeveria në krye me Ramush Haradinaj iu kishte ndarë dhjetëra mijëra euro personave që ishin thirrur për intervistim. Në vendime të qeverisë që nuk ishin bërë publike, ishin ndarë prej 70 euro për person, që të ju mbulohen shpenzimet e udhëtimit e avokatëve.

Me gjithë ndarjen e këtyre shumave, që ishin bërë kryesisht për profilin e lartë të UCK-së, këto nuk ishin të vetmet skandale me të cilat u përball kjo zyrë.

Në janarin e vitit që lamë pas, kur për në Hagë ishin nisur personat e parë të ftuar për intervistim, me ta kishte shkuar edhe shefi i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja.

Lajçi madje, u fut bashkë me mbrojtjen në vendin ku u morën në pyetje të ftuarit e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ani pse mandati i zyrës të cilën ai e udhëheq është vetëm koordinues.

Për këtë arsye, Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke bërë hetime për rolin e Zyrës që funksionon në kuadër të qeverisë, si dhe për drejtuesin e saj, Driton Lajçin. Hetimi po bëhet për shkak të pengimit të mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimin për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare, si dhe të frikësimit gjatë zhvillimit të procedurës.

Rrjedhimisht, ai është intervistuar në Hagë me 17 tetor të vitit 2019-të, derisa ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Kjo sipas tij, pasi që nuk është nuk është informuar paraprakisht se për çfarë vepra penale specifike bëhet fjalë.

Intervistimi i Lajçit nuk ishte i fundit që është bërë në saje të hetimeve që po bëhen lidhur me zyrën që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Për pak muaj në Hagë është ftuar edhe Rilind Berisha është thirrur nën dyshimet se ka nxjerrë informacione sensitive nga zyra, si dhe ish-ministri i Drejtësisë, tash deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Ai kishte deklaruar se ka marrë ftesë në cilësinë e dëshmitarit.

Ani pse pozita që mban Laçji në këtë zyrë, në kuadër të Ministrisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu është post politik, shkarkimi i tij me ardhjen e qeverisë së re nuk është bërë e ditur se a është në plan.

Gazeta Express ka dërguar pyetje për këtë temë në Ministrinë e Drejtësisë, për të parë nëse e kanë në plan shkarkimin e Lajcit, si dhe a kanë kërkuar ndonjë raport të detajuar lidhur me punën që është bërë deri më tani.

Mirëpo, nga MD-ja nuk kanë pranuar që të komentojnë se çka do të veprohet lidhur me këtë temë, duke thënë se janë të natyrës konfidenciale. Nga kabineti i Ministres Haxhiu shtojnë se nuk mund të flasin për çka ka ndodhur gjatë mandatit të kaluar.

“Duke u bazuar në kërkesën tuaj të datës 13 mars 2020, ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë nuk ka mandat Kushtetues dhe ligjor të jap informacione për rastet ku potencialisht ka të dyshuar apo dëshmitar në proceset pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Po ashtu, ju informojmë se disa nga kërkesat tuaja nga institucioni ynë trajtohen në natyrë konfidenciale dhe nuk mund të ju ofrojmë përgjigje për to.

Dhe në fund ju informojmë se Kabineti i Ministres Haxhiu, nuk mund të flasë për çështjet që nuk kanë ndodhur në mandatin e kësaj Qeverie”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Gazetën.

Kërkesë që mënyra e funksionimit të kësaj zyre të bëhet më transparent, e jo si ka ndodhur deri më tani kanë edhe njohësit e drejtësisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë deklaruar së kjo zyrë do të duhej që të ishte transparente që prej kur e ka filluar punën.

“Zyra për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special por edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës që nga koha kur kanë filluar për të mbuluar pagesat lidhur me personat që kanë përfituar nga fondi i qeverisë për mbështetjes financiare të akuzuarve potencial të kësaj gjykate është dashur dhe duhet të jenë transparent me publikun lidhur me zbatimin e kritereve dhe procedurave lidhur me këtë menaxhimin e këtij fondi. Përderisa, në qeverinë e kaluar nuk ka pasur pothuajse fare transparencë lidhur me mënyrën, formën, procedurat dhe kriteret se si është ofruar mbështetja financiare dhe kush ka përfituar nga kjo mbështetjeje financiare, ajo çka ne duhet të presim nga Qeveria Kurti është që të ndryshoj qasje dhe të ofroj qasje por edhe raport lidhur me atë se si ka funksionuar kjo zyre brenda Ministrisë së Drejtësisë por edhe mënyra se si janë ndare mjete nga vet Zyra e Kryeministrit për persona të caktuar”, ka deklaruar Ehat Miftaraj nga IKD.

“IKD në vazhdimësi ka potencuar se çdo qeveri e ka për obligim që zyrtarët e saj të mbaj përgjegjës, llogaridhënës dhe vetëm mbi bazën e asaj që e përcakton ligji dhe duke respektuar procedurat të merren masa ndaj të gjithë atyre që nuk i kanë përmbushur kompetencat dhe përgjegjësitë sipas ligjit”, ka shtuar ai.

Aktakuzat e para veç se janë ngritur nga ana e prokurorit të Specializuar, derisa ato do të bëhen publike pas konfirmimit të tyre. Konfirmimi eventual i aktakuzave nënkupton edhe fillimin e procedurave para trupave gjyqësorë.

Organizatat e veteranëve në vazhdimësi kanë bërë thirrje që buxheti për mbulimin e shpenzimeve për të akuzuarit potencialë duhet të rritet, pasi që sipas tyre me në këtë mënyrë do të mundësohet që vetëm 10 për qind të të akuzuarve të ju mbulohen shpenzimet.

Të ngjashme