MD në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias për vettingun – Haxhiu: Dikush ka frikë nga ky proces

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 08:23 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Drejtësisë (MD) është në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias sa i përket procesi të vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ministrja Albulena Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online tha se kanë përfunduar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese në raport me vettingun dhe të njëjtin e kanë dërguar në Komision për komente.

 Ajo është optimiste se ky komision do t’i jap mbështetje këtij procesi, siç e quan ajo shumë të rëndësishëm për vendin.

“Ne kemi përfunduar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese në raport me vettingun në sistemin e drejtësisë. Ne jemi në pritje të opinionit të Venecias në raport me koncept dokumentin për vettingun por edhe draftin e amendamenteve të cilat i kemi dërguar pranë komisionit të Venecias. Pra sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni mbahet më 16 mars, për faktin se në praktikat e komisionit të Venecias drafti i opinionit dërgohet dy javë përpara në mënyrë që ne të kemi mundësinë që t’i japim komentet tona në raport me dokumentin në fjalë. Jam optimiste që Komisioni i Venecias i ka dhënë mbështetje ose t’i jap mbështetje amendamenteve kushtetuese dhe në përgjithësi vettingut në sistemin e drejtësisë”.

Ministrja Haxhiu thotë se me Zyrën e BE-së dhe ambasadën Amerikane janë në komunikim në vazhdimësi sa i përket këtij procesi.

“Ne jemi në vazhdimësi në komunikim edhe me miqtë tanë ndërkombëtar, kryesisht me Zyrën e Bashkimit Evropian me ambasadën Amerikane dhe në këtë drejtim edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Mirëpo siç jeni në dijeni Mbretëria e Bashkuar publikisht ka dalë në mbështetje të vettingut në sistemin e drejtësisë, prandaj e konsideroj që është një hap shumë pozitiv duke pas parasysh që po na vjen një mbështetje e madhe prej një shteti jashtëzakonisht të rëndësishëm për Republikën së Kosovës”.

Haxhiu tha se ka njerëz që i frikësohen vettingut e se kjo thotë ajo është e pritshme pasi ata nuk kanë integritet moral e profesional.

“Unë besoj që njerëzit e ndershëm dhe me integritet profesional brenda sistemit të drejtësisë e kanë të rë rëndësishëm vettingun sepse vetëm përmes vettingut do të mund të vijnë në shprehje pastaj puna e tyre. Po natyrisht kemi edhe individ të cilët nuk e duan vettingun edhe kjo është e pritshme që ata të cilët konsiderojnë që nuk kanë integritet moral dhe profesional të mos e duan vettingun sepse mund të konsiderojnë që nuk arrijnë ta kalojnë procesin e vettingut. Ndonëse për këtë është përgjegjës komisioni që do të themelohet si një mekanizëm i pavarur dhe i jashtëm për ta bërë vettingun tek prokurorët dhe gjyqtarët”.

Ministrja e Drejtësisë thotë se qëllimi është që Kosova të jetë shtet i së drejtës e që qytetarëve t’iu kthehet besimi në institucionet e drejtësisë.

Haxhiu bëri thirrje që të mos kundërshtohet ky proces për të cilin thotë se është i rëndësishëm.

“Por besoj që ne si Ministri e Drejtësisë, pra si ekzekutiv, si institucione por edhe sistemi i drejtësisë do të duhej ta kishim një qëllim të përbashkët. Qëllimi jonë i përbashkët është që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe qytetarët ta kenë besimin e tyre në institucionet e drejtësisë. Unë besoj që çelësi i vetëm  të cilën aktualisht e kemi në duar për ta bërë këtë është vettingu, prandaj edhe i ftoj që të bashkohen dhe të mos kundërshtojnë këtë proces të rëndësishëm”.

Të ngjashme