MD për padinë ndaj Malit të Zi: Pritet që Gjykata e Kotorrit të thërras seancë

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Budvës së Malit të Zi dhe kompania “Sunraf beach properties” është paditur nga Ministra e Drejtësisë së Kosovës e cila kërkon kthimin e rreth 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq”, ku ishte dikur vendpushimorja për fëmijë.

Kosova pretendon se ka blerë këtë vendpushim gjashtë dekada më parë dhe kërkon nga Gjykata e Kotorrit, ku është ngritur procesi gjyqësor, që të miratojë një masë të përkohshme që ndalon asgjësimin dhe tjetërsimin e vendit deri në përfundim të kontestit gjyqësor, njofton Klankosova.tv.

Republika e Kosovës nga Gjykata e Kotorrit ka pranuar aktvendimin për dhënien e përgjigjes në padi bëhet e ditur nga Ministra e Drejtësisë për Klankosova.tv.

“Republika e Kosovës e ka pranuar aktvendimin me NR.350/18 nga Gjykata Themelore në Kotorr për dhënien e përgjigjes në padi. Në çështjen juridike të vërtetimit të pronësisë, sipas paditësit dhe të paditurve”.

Ministria e Drejtësisë bën të ditur se procedurat për këtë padi kanë nisur që nga viti 2018.

“Me datë 17.07.2018 Avokatura Shtetërore, ka ushtruar përgjigjeje në padi, ku edhe gjatë viteve 2019-2021 AVSH-ja ka përcjell parashtresa me të cilën jemi deklaruar, lidhur me çështjen gjyqësore”.

“Me datë 04.11.2020, AVSH-ja deponon në gjykatë padinë për vërtetimin e të drejtës së pronësisë me propozim për caktimin e masës së sigurisë si dhe përfaqësime gjyqësore. Tani kjo procedurë gjyqësore është duke vazhduar”.

“Me datën 04.11.2020 AVSH-ja deponon padinë në Gjykatën Themelore në Kotorr ku kërkon vërtetimin e pronësisë, masën e sigurisë dhe lirimin e pronës”.

“Bazuar në ligjet në fuqi të Malit të Zi pritet që gjykata të thirre seancë gjyqësore për të vendosur për masën e sigurisë si hap i parë procedural”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Tutje MD-ja bën të ditur se AVSH-ja nuk ka ndonjë kërkesë tjetër nga institucionet që i përfaqëson për inicimin e ndonjë padie të ngjashme si kjo ndaj Malit të Zi.

Mirëpo, Ministria e Drejtësisë për të vërtetuar se kjo pronë është blerë nga Kosovë duhet të sigurojë kontratat nga arkiva shtetërore e Malit të Zi.

“Për të dokumentuar blerjen e atij vendpushimi gjashtë dekada më parë është angazhuar AVSH-ja e cila në bazë të akteve noteriale që kanë dorëzuar palët në procedurë në rastin ku jemi të paditur e më pastaj duke siguruar kontratat nga arkiva shtetërore e Malit të Zi që nga vitet 60-ta”.

Të ngjashme