Më 25 janar mbahet mbledhja e qeverive Kosovë-Maqedoni e Veriut

Prishtinë | 21 Dhj 2020 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është caktuar të mbahet më 25 janar të vitit 2021.

Ministrat u informuan sot lidhur me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj Halimi tha se kjo mbledhje do të mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

“Jemi dakorduar që mbledhja e përbashkët të mbahet më 25 janar 2021, në Shkup, në hapësirat e Maqedonisë së Veriut”, bëri të ditur ajo.

Në mbledhjen e mbajtur sot Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut për kalimet e përbashkëta kufitare Han i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, si dhe nismën për marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu deklaroi se krejt kjo po bëhet në mënyrë që të krijohen lehtësi në procedurat dhe masat që ndërlidhen me kontrollet kufitare të menaxhimit ndërkufitar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme