Me Agjenda të kujt po punojnë

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Përderisa vendi ynë, ashtu sikur e gjithë bota, po përballet me emergjencën e shkaktuar nga pandemia globale e koronavirusit, një dëm tejet i madh dhe me pasoja shumë afatgjata i është shkaktuar Kosovës nga qeveria Kurti që në muajin e parë të qeverisjes.

Fjala është për dështimin e qëllimshëm të projektit energjetik Kosova e Re dhe largimit të ContourGlobal.

Pas shumë lobimeve antiKosovë që kishin filluar që në vitin 2006, Kosova përfundimisht dhe, me gjasë përgjithmonë, është bërë energjetikisht e varur nga vendet tradicionalish ‘kundërshtare’.

Gjatë viteve 2005, 2006 dhe 2007, Kosova kishte arritur ta bënte gati fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese prej 2100 MW nën ombrellën e projektit Kosova C. Të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe shtetet relevante kanë qenë të kyqura plotësisht në proces dhe poashtu, kompanitë më të mëdha energjetike botërore kishin shfaqur interesim dhe ishin parakualifikuar.
Me ardhjen e Hashim Thaçit në pushtet, projekti u shkatërrua dhe investitorët u larguan. Nën lobimin e armiqve të Kosovës të veshur me petk ambientalistësh dhe për arsye tjera të cilat një ditë do të zbardhen, Hashim Thaçi e shkatërroi projektin i cili do ta shndërronte Kosovën në fuqi energjetike regjionale dhe do ta rriste jashtzakonisht shumë buxhetin dhe ekonominë e Kosovës.
Duhet përmendur se në atë kohë dhe në dhjetëvitëshin që pasoi, Ballkani kishte mungesë të energjisë, ishte energy thirsty. Ndërsa përmbushja e kritereve bazë të Kyotos do të bëhej me këmbimin e energjisë përmes transmisionit 400 KV në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Serbia e ndali 400 Kilovoltëshin e financuar nga Gjermanët për 10 vite e Thaçi Kosovën C.

U deshën shumë vite për të përmirësuar aq sa ishte e mundur dhe për të arritur pothuajse tek fillimi i ndërtimit të TC Kosova e Re me kapacitet 500 MW, që esencialisht është i pamjaftueshëm për Kosovën, sidomos pas dekomisionimit të termocentraleve A dhe B. Por edhe ky projekt dështoi, tani me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit.

Jo vetëm që prishja e këtij projekti do të ketë pasoja brutale ekonomike për Kosovën, por pasojat do të jenë edhe politike edhe strategjike.
Përderisa pasojat ekonomike spjegohen lehtë, permes përllogaritjes së blerjes permanente të energjisë dhe mosvalorizimit të pasurisë më të madhe të Kosovës (14 miliard tonelata thëngjill i eksplorueshëm vetëm në Fushën D) ato politike dhe strategjike janë zor të llogaritshme por evidente. Pas këtij vendimi, Kosova do të krijojë varësi energjetike nga vendet që kanë varësi energjetike nga Rusia dhe Kina. Rusia përmes gazit ndërsa Kina përmes investimit në termocentralet me linjit në Serbi, duke filluar me ‘Kostolac B3’. Po, po, Serbia po ndërton termocentrale me thëngjill e Kosova po e ruan globin, por për këtë pak më vonë.
Pasojat e varësimit energjetik në lindje dhe përndjekja e kompanive perendimore është problem strategjik i Kosovës për të cilin nuk besoj se ka nevojë të argumentoj.

Para se të kaloj tek shifrat dhe faktet e përdorimit të thëngjillit për prodhim të energjisë nëpër vende të botës, po e ndaj një tregim të vërtetë me lexuesit.

Në verën e vitit 2006, në kohën sa isha Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe anëtarë i Komitetit Drejtues të projektit Kosova C, në zyrën time kishte ardhur një person përfaqësues i Bankës Botërore me prejardhje nga një vend i Ballkanit. Personi në fjalë, përkundër faktit se Banka Botërore ishte pjesë e projektit tonë, filloi të më lobonte që të dilja kundër Kosovës C. Argumenti i vetëm që përdori ishte ndotja e mjedisit. Ndërsa si kompenzim për humbjen që do të pësonte Kosova më ofroi që vendi i origjinës së personit do ta ndërtonte një hekurudhë moderne nga ai vend deri në Obiliq brenda një viti, për ta blerë thëngjillin tonë me qmimin prej 1,5$ për tonelatë dhe do ta djegte në termocentralin e vet të ri.


Përgjegja ime ishte e thjeshtë. Kompanitë e parakualifikuara ofronin mbi 2$ për tonelatë, që në total ishin mbi 30 miliardë dollarë për 40 vjet vetëm nga tantiema, pa i shtuar këtu benefitet e Kosovës nga taksat dhe transmisioni e poashtu rritja e tantiemes bazuar në inflacionin e aprovuar nga BB. Dhe poashtu i ofrova që në vend të hekurudhës ne do të ndërtojme largpërques dhe në vend të thëngjillit do t’iu shesim energji, produkt të gatshëm, të prodhuar me teknologjinë më të avancuar perendimore. Sdo mend që oferta ime ishte e papranueshme dhe me sa pata kuptuar, fyese për mysafirin.
Para se të largohej mysafiri më tha se fuqitë që duan ta ndalin projektin energjetik të Kosovës janë më të mëdha se ato që e mbështesin, dhe se vendet mike janë të zëna me post ‘9.11 dhe se projekti do të dështojë. Fatkeqësisht ashtu ndodhi.

Por si është gjendja me prodhimin e energjisë nga thëngjilli në botë? Ja disa fakte interesante të përditësuara nga nëntori 2019 deri në shkurt 2020

1. Sot në botë operojnë 2425 termocentrale me thëngjill dhe gjenerojnë 2000 GigaVat. Ato i emitojnë 15 miliard tonelata dioksid karboni në vit, aq sa është pesha totale e rezervave tona në Fushën D. Ndërsa në këtë minutë janë në ndërtim e sipër 600 termocentrale të reja me thëngjill.
2. Kina i ka të instaluara 1000 GW(gigavat) nga termocentralet me thëngjill (sa 500 Kosova C dhe sa 2000 Kosova e re) dhe i ka në ndërtim e sipër 121 (njëqind e njëzet e një) termocentrale të reja me thëngjill.
3. Japonia, pas katastrofës nukleare të Fukoshima Daiichi është duke i ndërtuar 22 termocentrale të reja me thëngjill.
4. Shtetet e Bashkuara, përveq energjisë ‘hidro’, nukleare, të erës, solare, gjeotermike etj, i ka të instaluara 107 GW energji termike nga thëngjilli (sa 50 Kosova C dhe sa 200 Kosova e Re) në 87 Centrale.
5. Kanadaja i prodhon 9834 MW energji nga thëngjilli, sa 4 Kosova e C dhe sa 16 Kosova e Re.
6. Gjermania i mbulon 40% të nevojave energjetike nga 40 centralet me thëngjill. Dhe pa dashur të shkoj më tutje…
7. Serbia po e ndërton termocentralin Kostolac B3. Përpos tjerëve që i ka e që e mbulojnë 75% të prodhimit energjetik,një pjesë të të cilës e shet, ku tjetër pos në Kosovë.
E qeveria Kurti dhe të ashtëquajturit ambientalistë nën petkun e mbrojtësve të mjedisit na kanë vënë në pozitën e të nënshtruarit total në sferën e energjisë. Kur jemi të nënshtruar dhe të varur energjetikisht, jemi të varur gjithsesi, sidomos kur vendi ynë është Kosova e vogël.
Të njejtit që janë kundër termocentraleve janë edhe kundër hidrocentraleve. Po pyetem për kënd po punojnë? Me apo pa vetëdije!?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme