Me Ejup Statovcin në krye, UP-ja ishte Universitet i Republikës së Kosovës

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në 80-vjetorin e lindjes ka kujtuar ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.

Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se arrestimet e shumta përgjatë viteve të ’90-a nga policia e Serbisë, bastisjet e banesës së tij e zyrës së Universitetit që udhëhiqte nuk e frikësonin atë.

“Kurrfarë trysnie apo kërcënimi nuk e zmbrapsi”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka thënë se nën okupim e apart’heid, me prof. Statovcin në krye, Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës.

“Prof. Statovci ishte shkencëtar i vërtetë i së drejtës – i përkushtuar ndaj dijes e përhapjes së saj. Ai duhet të jetë shembull se si ndërtohet universiteti, por edhe shoqëria e shteti”, ka theksuar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Ai fliste qetë, me ton të ulët, bile shumë të ulët, ndonjëherë madje duke të sforcuar për ta dëgjuar. Por çfarë thoshte ishte në disproporcion të plotë me mënyrën se si fliste. Fuqishëm, i prerë, pa kurrfarë ekuivoke, i vendosur e përtej çfarëdo dileme.
Sot Prof. Ejup Statovci do t’i mbushte 80 vite.
I shkolluar në Zagreb e Lubjanë, në Kembrixh e Harvard, gjithë jetën e kaloi i dedikuar për studentët e lëndët e tij. Pas dëbimit të studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë në qershor 1991, Ejup Statovci, zgjodhi të angazhohet në rifillimin dhe rimëkëmbjen e universitetit. Ai gjithashtu mori pjesë në hartimin e komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut.
Arrestimet e shumta përgjatë viteve të ’90-a nga policia e Serbisë, bastisjet e banesës së tij e zyrës së Universitet që udhëhiqte nuk e frikësonin atë. Kurrfarë trysnie apo kërcënimi nuk e zmbrapsi.
Nën okupim e apart’heid, me Prof. Statovcin në krye, Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës. Ai e ruajti pavarësinë e universitetit nga politika e asaj kohe, e kjo gjë ishte vendimtare për protestat e studentëve të vitit 1997 – të cilave ai u priu.
Është një privilegj i veçantë ta kesh njohur e të kesh qenë përkrah, e ta kesh pasur përkrah një njeri të vendosmërisë e rezistencës si Prof. Ejup Statovci.
Prof. Statovci ishte shkencëtar i vërtetë i së drejtës – i përkushtuar ndaj dijes e përhapjes së saj. Ai duhet të jetë shembull se si ndërtohet universiteti, por edhe shoqëria e shteti.

Të ngjashme