Mediat serbe: Plani i Trump për Izraelin model për Kosovën

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Plani për Lindjen e Mesme, i prezantuar dy ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë, ka shumë të njëjtat pika me atë të përgatitur për Beogradin dhe Prishtinën.

Sipas një burimi diplomatik të Telegrafit serb nga një ambasadë perëndimore, plani për mosmarrëveshjen midis izraelitëve dhe palestinezëve u punua nga të njëjtët njerëz që hartuan edhe kornizat e strategjisë amerikane për zgjidhjen e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili po zbatohet nga i dërguari special i Donald Trump, Richard Grenell, këto ditë, shkruan Telegrafi serb, transmeton Tanjug.

Plani i SHBA-së për Izraelin dhe Palestinën parashikon një shtet palestinez dhe njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi vendbanimet në West Bank, njofton Klan Kosova.

Jerusalemi do të mbetet kryeqyteti “i pandarë” i Izraelit, mirëpo kryeqyteti palestinez do t’i përfshinte zonat e Jerusalemit Lindor.

Por, palestinezët e kanë hedhur poshtë këtë që u emërua si planin i ri i paqes për Lindjen e Mesme, duke e quajtur atë “komplot”.

Ne një reagim ndaj njoftimit të së martës, presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se “Jerusalemi nuk është në shitje”.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje në një konferencë për shtyp tha se plani i Trumpit për Izraelin dhe Palestinën i jep shpresa edhe marrëveshjes së Kosovës me Serbinë.

“Plani i marrëveshjes për Izraelin dhe Palestinën i lajmëruar nga Trump na jep një shpresë të madhe që mund të vijnë edhe me ide konkrete edhe për rajonin tonë. Nuk besoj që SHBA do të investojë miliona dollarë sepse ne jemi në Europë dhe BE e paguan koston”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme