RFI: PDK e menaxhon Kosovën si një pronë private

Prishtinë | 13 Gus 2016 | 10:46 | Nga

“Skandali i përgjimeve ka dridhur Partinë Demokratike të Kosovës”, kështu e nis shkrimin e saj të sotëm gazeta franceze “RFI – Radio France International”, teksa raporton mbi përgjimet e fundit telefonike të publikuara para rreth dy javësh nga gazeta online Insajderi.

Mediumi francez RFI, që ka një rrjet të gjerë mediatik në botë dhe është e përkthyer në 15 gjuhë të botës, theksin kryesor e vë tek korrupsioni dhe ndikimi që disa njerëz të PDK-së kanë në institucionet e Kosovës.

“Të bëhesh shef i një ndërmarrjeje publike, nuk është nevoja për diplomë por vetëm duhet të ketë miratimin e Adem Grabovcit dhe Hashim Thaçit”, shkruan RFI. Sipas RFI, PDK-ja ka privatizuar shtetin dhe institucionet publike” dhe se këto veprime dëshmohen në “Dosjen e Shefave”.

“Përgjimet të publikuara nga sajti Insajderi tregojnë se si PDK ka privatizuar shtetin dhe ndërmarrjet publike”, shkruan më tej “Radio France International”, transmeton Insajderi.

Megjithatë, RFI nuk është i vetmi medium francez që ka raportuar për “Dosjen e Shevafe”. Edhe gazeta tjetër “Le Courrier des Balkans” – gazetë franceze me fokus të vecantë në Ballkan ka pasqyruar skandalin e përgjimeve të publikuara nga Insajderi.

“Le Courrier des Balkans” ka përkthyer tekstin e “Dosjes së Shefave 1”, në të cilën të përfshirë janë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe presidenti i Kosovës, i cili në vitin 2011 – në kohën kur janë përgjuar bisedat – ishte kryeministër, Hashim Thaçi.

“‘Dosja e Shefave‘: PDK menaxhon Kosovën si pronë private”, është titulli i “Le Courrier des Balkans”.

Insajderi përmes një serie bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme