Mehaj kërkon nga BE-ja e NATO-ja të jenë më të vëmendshme ndaj Kosovës

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës (MBK) ka thënë se është duke përcjellë zhvillimet e fundit rreth Ukrainës dhe ka kërkuar nga NATO-ja për vëmendje të shtuar për të pamundësuar ndikimin dhe influencën e qarqeve ruso-serbe në rajon.

Ministri Armend Mehaj ka ndarë një postim në Facebook ku thotë se zhvillimet e shpeshta në kufirin Kosovë-Serbi dhe provokimet nga ushtria serbe, janë kërcënim serioz që duhet të adresohen nga BE-ja e NATO-ja.

“Ministria e Mbrojtjes përcjellë me vëmendje maksimale zhvillimet e fundit dhe veprimet aktuale të Rusisë kundër Ukrainës, vendeve të krahut lindor të NATO-s, si dhe aktivitetet hibride që Rusia zhvillon në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aktivitetet e luftës hibride, në rajonin tonë, Rusia përmes Serbisë, i realizon në vazhdimësi me luftën politike të ndërthurur me aktivitete asimetrike siç janë sulmet kibernetike dhe ato përmes lajmeve të rreme (fake news). Prandaj, kërkojmë vëmendje të shtuar të autoriteteve politike dhe ushtarake të NATO-s përmes Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) në rajonin tonë, për të pamundësuar kështu ndikimin dhe influencën e qarqeve destabilizuese ruso –serbe të mbështetura edhe nga qarqet kineze në rajon. Zhvillimet e shpeshta në kufirin Kosovë – Serbi dhe provokimet nga ushtria serbe, i vlerësojmë kërcënim shumë serioz dhe duhet të adresohen fuqishëm politikisht nga Bashkimi Evropian dhe me veprime e qëndrime konkrete nga NATO , respektivisht Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) përmes operacionit KFOR në Kosovë”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Rusia ka mbledhur rreth 100,000 trupa ushtarake në kufijtë pranë Ukrainës, derisa SHBA-ja këtë veprim e quan si përgatitje të Rusisë për ta pushtuar Ukrainën. Këtë e ka mohuar Moska zyrtare e cila ka thënë se trupat ushtarake janë grumbulluar për të kryer stërvitje.

Të ngjashme