Mehaj: Mbështetja e SHBA-ve e pazëvendësueshme në proceset zhvillimore të Kosovës

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka potencuar faktin se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pazëvendësueshme në proceset zhvillimore të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mehaj shkroi se gjatë ditës së hënë ai e ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffery Hovenier se bashku me atasheun e mbrojtjes amerikane, kolonelin Stephen Rose.

Mehaj bënë të ditur, se gjatë këtij takimi ata kanë biseduar për zhvillimet aktuale dhe mbështetjen mes dy vendeve dhe dy forcave ushtarake.

“Mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si gjithmonë, është e pazëvendësueshme në proceset tona zhvillimore aktuale dhe ato në të ardhmen. Sot, në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë, prita në takim Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier, të shoqëruar nga atasheu amerikan i mbrojtjes, Kolonel. Stephen Rose. Me këtë rast, me Ambasadorin Hovenier diskutuam për zhvillimet aktuale në mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë, mbështetjen si dhe aktivitetet e përbashkëta në mes dy vendeve dhe forcave tona”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ai po ashtu e vlerësoi lartë mbështetjen e SHBA-vë, në formimin e FSK-së por edhe të shteteve anëtare të NATO-s, që kanë mundësuar pjesëmarrjen e ushtrisë tonë, në operacione jashtë vendit.

“Mbështetja e deritashme e SHBA-së është jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, për pjesëmarrjen e FSK-së në operacione jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane dhe forcat aleate të saj”, përfundoi ai.

Të ngjashme