Mehaj në vizitë zyrtare në Amerikë, do të ketë takime në Pentagon e Departament të Shtetit

Prishtinë | 11 Tet 2021 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se këtë të hënë ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mehaj thotë se gjatë kësaj vizite që do të zgjasë një javë do të takohet me autoritetet më të larta të Departamentit të Mbrojtjes në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit, njofton Klankosova.tv.

“Vizitë shumë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot me delegacionin tim, kam udhëtuar për vizitë zyrtare në SHBA. Gjatë kësaj vizite njëjavore do të takohem me autoritetet më të larta të Departamentin të Mbrojtjes në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit”.

“Gjithashtu gjatë kësaj vizite do të takohem edhe me zyrtarë të lartë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Byrosë së Gardës Kombëtare Amerikane, Këshillit Atlantik, Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Agjencisë për Bashkëpunim të Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe do të marrim pjesë në Panairin e Shoqatës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara”.

Tutje ministri Mehaj bën të ditur se gjatë vizitës do të takohet edhe me përfaqësuesit e shërbimit diplomatik të vendit tonë si dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan.

“SHBA , ishin , janë dhe do të jenë gjithmonë miqtë dhe partneri ynë i pazëvendësueshëm. Me besimin e plotë, sikur deri më tash, do të rrugëtojmë së bashku dhe të vendosur drejtë realizimit të vizionit tonë euroatlantik. Zoti e bekoftë gjithmonë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme