Mehmeti-Selimi: Serbia le të armatoset sa të dojë, Kosova është e armatosur me njerëz dhe vullnet të mirë që do ta mbrojnë vendin

Prishtinë | 18 Pri 2022 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Disa sulme të njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare në veri të vendit në ditët e fundit po shihen si alarm serioz për sigurinë e Kosovës.

Deputetja e LVV-së që është edhe pjesë e Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi thotë se institucionet e sigurisë në Kosovë janë ta gatshme për t’u përballur me çdo sulm të Serbisë.

“Ditëve të fundit po shihet fytyra e vërtetë e Serbisë. Si duket kanë marrë zemër nga sulmet e Rusisë në Ukrainë, dhe këta po dëshirojnë të tregojnë se janë ende gjallë dhe mund të bëjnë sulme tjera në Kosovë. Mirëpo institucionet e Kosovës, policia e Ushtria janë ta gatshme të mbrojnë sovranitetin e vendit”, tha ajo në RTV Dukagjini.

Mehmeti-Selimi thotë se institucionet e sigurisë janë duke punuar për të nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri.

“Nuk mund të quhet ndryshe ky sulm kur policia e një shteti është sulmuar nga një shtet tjetër. Kur sulmohet policia e një shteti ai quhet sulm terrorist. Ky është akt terrorist dhe nuk mund të konsiderohet lojë e fëmijëve. Na është sulmuar policia në kufi dhe na është rrezikuar sovraniteti”.

Deputetja e shumicës nuk ka hedhur poshtë mundësinë që sulmuesit të jenë fizikisht edhe në Kosovë, por sipas saj gisht në sulm ka Serbia.

Mehmeti-Selimi deklaroi se Rusia po ndikon te Serbia që kjo e fundit të destabilizojë Ballkanin.

Deputetja megjithatë mendon se Serbia këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës e ka bërë si formë hakmarrjeje për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ajo është shprehur optimiste se në rast të ndonjë konflikti të mundshëm Kosova është shumë më e përgatitur se në vitin 1999.

“Serbia le të armatoset sa të dojë, por Kosova është e armatosur me njerëz dhe vullnet të mirë që ta mbrojnë shtetin e Kosovës”.

Të ngjashme