Melihate Tërmkolli merr pjesë në protestë: Rama ta anulojë paktin me Vuçiqin

Prishtinë | 20 Dhj 2021 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Politikania kosovare, Melihate Tërmkolli po merr pjesë në protestën e thirrur nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha në Tiranë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kundër nismës “Ballkani i Hapur”.

Tërmkolli tha se “Ballkani i Hapur” është thikë pas shpine për Kosovën dhe shqiptarët, ndërsa i kërkoi kryeministrit shqiptar, Edi Rama ta anulojë, atë që ajo e ka quajtur “pakt” me presidentin serb, raporton Gazeta Express.

“Sot ne këtu dhe gjithnjë do ta kundërshtojmë me gjithë fuqinë tonë – dhe fuqia jonë nuk është e vogël, fuqia e popullit është e madhe – do ta kundërshtojmë në vazhdimësi këtë pakt për Ballkanin e Hapur, për atë që do të thotë Jugosllavi e re, për atë që serbët e quajnë “bota serbe” dhe është përpjekja e fundit dhe synimi i fundit i Vuçiqit që me bashkëmendimtarë t’i realizojë planet, projektet deri te Millosheviqi, e tash Vuçiqi”, tha Tërmkolli.

“Por kjo nuk do të ndodhë”, vazhdoi ajo. “Është kalaja Kosovë dhe janë shqiptarët këtu në Shqipëri dhe kudo që janë.”

Tërmkolli tha se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e kritikon Kasapin e Ballkanin, Sllobodan Millosheviqin sepse nuk i shfarosi krejtësisht shqiptarët e Kosovës.

“A e dini se Vuçiqi është ndër kritikuesit më të mëdhenj të Millosheviqit. Nuk e kritikon pse bëri gjenocid në Kosovë kundër shqiptarëve, por e kritikon pse nuk e kreu punën, sepse nuk i shfarosi shqiptarët për t’i hedhur në det që të gjithë dhe për ta marrë Kosovës. Nuk do të ndodhë, dhe prapë do t’i themi, kurrë nuk do të ndodhë”, tha ajo.

Sipas Tërmkollit, Kosova nuk duhet ta pranojë “Ballkanin e Hapur” edhe nëse Serbia e njeh pavarësinë e saj.

“Disa sorosianë të rinj i kam dëgjuar se nëse Serbia e njeh Kosovën, ne do ta pranojmë Ballkanin e Hapur. Kurrë dhe asnjëherë, edhe nëse na njeh Serbia nuk e pranojmë Ballkanin e Hapur”, tha ajo.

Në fund, ajo i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që ta anulojë nismën e “Ballkanit të Hapur”.

“Edi Rama bën mirë që sot dhe nesër ta bëjë veç një veprim, ta shpallë nul këtë pakt, dhe duhet ta bëjë një gjë të tillë”, tha Tërmkolli.

Të ngjashme