Memli Krasniqi: Dialogu u takon të gjithëve, të mos ketë frikë askush

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 17:36 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka ftuar për konsensus lidhur me Dialogun Kosovë-Serbi, temë kjo që është duke u debatuar në Kuvendin e Kosovës. Krasniqi, në fjalën e tij para deputetëve, ka thënë se tema e Dialogut u takon të gjithë akterëve politikë në vend, pa përjashtim, ashtu siç i takon secilit edhe përgjegjësia për të dhënë kontributin aktiv në këtë proces.

“Ne besojmë se konsensusi për Dialogun me Serbinë është më shumë se i dëshirueshëm. Është përgjegjësi e të gjitha partive politike, para së gjithash atyre të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kontributin për këtë proces e shohim si një obligim që e kemi të gjithë karshi vendit dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar më tej se mbyllja e një kapitulli të mosmarrëveshjeve me një shtet fqinj, përfundimi i konflikti të ngrirë që me Serbinë – duhet të jetë pikë që e bashkon spektrin politik kosovar.

“Para së gjithash, përcaktimi dhe arritja e qëllimeve konkrete nga përfundimi i Dialogut, siç është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe procesi integrues i vendit në BE duhet të jenë pika të konsensusit tonë të përbashkët”, ka shtuar ai.

Shefi i GP të PDK-së ka thënë se është qëndrim i qartë i partisë së tij që Kuvendi i Kosovës ta ketë rolin e mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes finale në procesin e Dialogut. Duke rikujtuar se faza finale e Dialogut Kosovë-Serbi do të prodhojë një marrëveshje ndërkombëtare të obligueshme, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, me garantues BE-në dhe SHBA-në, Krasniqi ka thënë se për ta nxjerrë më të mirën e mundshme – spektri politik duhet t’i qaset bashkërisht dhe përtej pozicioneve partiake këtij procesi.

“Pozicioni i Kosovës ne Dialog fuqizohet vetëm nëse arrihet një konsensus, një gjithëpërfshirje. Ne do të jemi më të dobët nëse në Bruksel shkojmë në mënyrë të fragmentuar. Tekefundit, Kosova nuk është vetëm e koalicionit të sotëm qeveritar. Kosova është e të gjithëve, pozitë e opozitë, dhe është përgjegjësi e secilit për ta dhënë kontributin e tij në këtë proces”, ka thënë ai. Krasniqi ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga Dialogu.

“Ai ndërmjetësohet nga BE dhe mbështetet nga SHBA, ndërsa Kosova merr pjesë në të si shtet i pavarur dhe Sovran në këtë proces. Tekefundit, ne nuk kemi pse të frikohemi për të shkuar aty ku na fton Brukseli dhe Washingtoni. Sa herë kemi negociuar me Serbinë, me mbështetjen e partnerëvë tanë perëndimorë, ne nuk kemi humbur”, ka thënë ai. Shefi i GP të PDK-së ka vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndodhë, prandaj ka ftuar të gjithë që të koncentrohen në përmbajtjen e Dialogut, në qëndrimet e Kosovës në këtë proces.

“Nëse merremi vesh për këtë, është shumë më e lehtë të pajtohemi për formatin dhe për mënyrën e përfaqësimit tonë. E rëndësishme është që mos t’i ikim përgjegjësisë askush, sepse këtë herë nuk po flasim për një temë që ka efekte për një mandat, e prej të cilave mund të humbë apo të përfitojë politikisht një parti apo një tjetër. Sot, po flasim për përmbylljen e konfliktit me Serbinë që do të duhej të ketë efekt të përhershëm dhe që do të krijonte një kontekst të ri politik në rajon, që do të mundësonte paqen për të gjithë dhe integrimin e gjithë rajonit në BE”, ka thënë Memli Krasniqi.

Të ngjashme