Memli Krasniqi: Epopeja e UÇK-së manifeston më së miri rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot se 5, 6 dhe 7 marsi, janë data kapitale në historinë tonë kombëtare, tri ditë ku ne kujtojmë me krenari e përulje, lavdinë dhe sakrificën e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

“Epopeja e UÇK-së, manifeston më së miri rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, ndërsa këtë Epope më së miri e manifeston fjala e përndritur e komandantit legjendar: “Besa-Besë….vetëm një vdekje se tjetër s’ka dhe një fjalë e mirë”. Epopeja e UÇK-së, shënon ditët e krenarisë, bashkimit por edhe dhimbjes së madhe të popullit tonë. Në tri ditët e heroizmit të familjes Jashari, në Prekaz, në altarin e lirisë ranë 59 dëshmorë, në mesin e tyre 10 fëmijë, – duke u bërë dritë e përhershme për Kosovën dhe themel i shtetit tonë të lirë e të pavarur”, ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në Facebook.

“Me amanetin e tyre në zemër, obligimi dhe detyra e jonë e përhershme është ndërtimi i një shteti të zhvilluar e demokratik, që materializon lirinë, barazinë e perspektivën për të sotshmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve tanë. Lavdi!”, ka shkruar kreu i PDK-së.

Të ngjashme