Memli Krasniqi: Është emergjente nevoja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 02 Mar 2022 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës e sheh emergjente nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, krahas situatës së krijuar me sulmin ushtarak dhe pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, i cili jo vetëm që po shndërrohet në tragjedi për një vend evropian, por po ashtu po sulmon vlerat qytetëruese e demokratike të cilat ne, Kosova dhe populli i saj i ndan me demokracitë perëndimore.

“Në anën tjetër, përderisa dimensioni i agresionit rus ndaj Ukrainës po merr karakter të një krize humanitare, Partia Demokratike e Kosovës i kërkon qeverisë që të ndajë një shumë prej së paku 1 milion eurosh për popullin e Ukrainës, si një ndihmë solide në këtë kohë jashtëzakonisht të rëndë për ta dhe vendin e tyre”, shkruan ai.

Lideri i PDK-së, njëkohësisht i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për të siguruar, në rast nevoje, strehimin e së paku 5000 qytetarëve ukrainas që janë shpërngulur dhunshëm nga agresioni rus.

“Republika e Kosovës është produkt i forcave qytetare liridashëse që e kupton shumë mirë domethënien e një agresioni të tillë ndaj lirisë dhe demokracisë. Prandaj, ky moment duhet të shërbejë për të avancuar vlerat tona të përbashkëta dhe konsolidimin tonë të mëtejmë në kuadër të strukturave demokratike evropiane dhe perëndimore.”, shkruan Krasniqi.

Të ngjashme