Memli Krasniqi merr besimin e delegatëve, zgjidhet kryetar i ri i PDK-së

Prishtinë | 03 Kor 2021 | 13:37 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Memli Krasniqi, kandidati i vetëm për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka marrë besimin e delegatëve për të udhëhequr këtë parti, raporton Ekonomia Online.

476 delegatë kanë marr pjesë në votim, vetëm shtatë prej tyre kanë qenë kundër.

Para përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, Enver Hoxhaj që ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik njoftoi se nuk do t’i hynte garës për kryetar.

Krasniqi ka lindur në Mitrovicë më 25 janar 1980 ku ka kryer shkollimin fillor në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.

Shkollimin e mesëm ai e kreu në gjimnazin “Xhevdet Doda”,  më Prishtinë, teksa i ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të PrishtinësReklamë

Krasniqi ka të mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).

Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.

Për shumë vite ai është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe si anëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”.

Rrugëtimin politik e ka filluar nga viti 2004.

PDK-ja mbeti pa udhëheqësi që nga nëntori i vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje nga pozita e kryetarit pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Haga.

Për gati 17 vjet PDK-ja u udhëhoq nga ish-kryetari Hashim Thaçi i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë i akuzuar për krime lufte.

Të ngjashme