Memli Krasniqi takohet me Von Cramon në Bruksel: Lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës të jetësohet shpejt

Prishtinë | 01 Dhj 2022 | 18:16 | Nga Ekonomia Online
  • Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka takuar sot në Brukse eurodeputeten Viola von Cramon, njëkohësisht Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka njoftuar se me Von Cramon kanë diskutuar për zhvillimet në rajon, me theks të veçantë Kosovën.

“Me këtë rast, u dakorduam për rëndësinë e miratimit së fundmi nga Parlamenti Evropian të rekomandimit për Strategjinë e Re të BE-së për Zgjerim”, shkruan ai.

Krasniqi ka falënderuar eurodeputeten Von Cramon për mbështetjen dhe angazhimin në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Eurodeputetes Cramon i kërkova që të vazhdojë avokimin konsistent të saj në përmbylljen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, posaçërisht tani pas rekomandimit pozitiv nga ambasadorët e vendeve të BE-së. Lëvizja e lirë e qytetarëve tanë në zonën Shengen, si e drejtë e merituar prej vitesh, duhet të jetësohet shpejt dhe pa kushte shtesë”, shkruan lideri i PDK-së.

Të ngjashme