Memli Krasniqi takon kryetarin e PD-së, Lulzim Basha: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri mbetet prioritet i prioriteteve

Tiranë | 11 Shk 2022 | 13:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ka takuar sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe thellimin e bashkëpunimit mes PDK-së dhe PD-së, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi u shpreh i kënaqur për mikpritjen dhe falënderoi Bashën për gatishmërinë e tij për përforcimin bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy partive që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik.

“Vërtetë është kënaqësi që ditën e dytë të vizitës sime të parë zyrtare si kryetar i PDK-së ta filloj në Partinë Demokratike këtu në Shqipëri me mikun tim dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, jo vetëm si dy liderë të opozitës në dy vendet tona, por edhe si dy udhëheqës partish që kanë pasur bashkëpunim për shumë vite edhe bilateralisht, por edhe në forume ndërkombëtare si dy parti që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik të qendrës së djathtë.”, tha ai.

Lideri i PDK-së theksoi se përtej kësaj, në takim u diskuta në detaje për tema të brengave të përbashkëta.

“Kosova dhe Shqipëria kanë shumë sfera ku ka nevojë të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin koordinimin edhe institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është shembull i mirë se pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona, ne bashkpunimin Kosovë – Shqipëri, Shqipëri – Kosovë e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve, andaj gëzohem që edhe si dy udhëheqës të partive kryesore opozitare në Kosovë dhe Shqipëri e vlerësojmë që obligimet dhe përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta.”, tha Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Ndërkaq, kryetari i PD-së, Lulzim Basha përgëzoi PDK-në për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në procesin e formimit të shtetit të Kosovës dhe për rolin që vazhdon të luajë si opozitë konstruktive në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës, si dhe i uroi punë të mbarë kryetarit Memli Krasniqi si përfaqësues i një brezi të ri të lidershipit dhe si shembull i mirë për tërë rininë shqiptare se është koha për të mbajtur mbi supe barrën që sjellë politika.

“Natyrisht, folëm për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon zhvillimeve të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku PDK qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve dhe në veçanti ndan pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm mes shteteve të BE dhe SHBA është një shancë e mirë për të shtyer përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat, ku sigurisht një barrë e madhe i përket BE-së dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës do të shmangë përfundimisht çdo skenar si ato në Bosnje Hercegovinë që kërcënojnë arkitekturën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por edhe vetë paqen dhe stabilitetin europian.”, tha ai.

Basha tha se diskutuan edhe rreth domosdoshmërisë së forcimit të luftës kundër korrupsionit nga institucionet e pavarura dhe të gjitha këto në funksion të mirëqenies qytetare, sepse armiku kryesor i mirëqenies qytetare si në Shqipëri si në Kosovë mbeten institucionet e dobëta dhe lufta kundër korrupsionit, e cila duhet të jetë prioritet i secilit politikan nga cilado pozitë, raporton Ekonomia Online.

“Ndërkohë Shqipëria ka një detyrë të përhershme, por në momentin aktual edhe më të rëndësishme si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të shtyej me të gjitha forcat dhe mënyrat përpara çdo aspekt që ka të bëj me Kosovën dhe qytetarët e saj, në veçanti në vazhdimin e njohjes ndërkombëtare, atë të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare dhe Partia Demokratike këtu jo vetëm që nuk do të rresht së shtyri jo vetëm nga pozitat e opozitës aktualisht, por edhe nuk do të kursejë asgjë që Shqipëria të japë gjithçka që mundet në mënyrë që Kosova të ketë benefitet maksimale të një bashkëpunimi të vërtetë, të ngushtë dhe produktiv midis Shqipërisë dhe Kosovës në rrafshin politik dhe ekonomik”, tha ai.

Të ngjashme