Merr fund ëndrra e Arban Abrashit, Kushtetuesja ia refuzon ankesën

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 22:27 | Nga Ekonomia Online

Tanimë janë bërë më shumë se një vit që kur zgjedhjet për të parin e Prishtinës kanë përfunduar, përmes së cilave Shpend Ahmeti mori besimin e qytetarëve për të udhëhequr me kryeqytetin.

Me rezultatet e certifikuara nga KQZ-ja nuk po pajtohet ende kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Arban Abrashi, i cili ka dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, shkruan Indeksonline.

Vendimin për këtë ankesë, Gjykata Kushtetuese pritet që ta bëj publik nesër, për të treguar nëse Prishtina do të shkoj në zgjedhje.

Mirëpo, burime të Indeksonline bëjnë të ditur se tanimë Kushtetuesja ka refuzuar ankesën e Abrashit, duke e shpallur Ahmetin kryetar legjitim të Prishtinës.

Sipas tyre, Shpend Ahmeti do të vazhdoj të jetë kryetar i Prishtinës deri në përfundim të mandatit katër vjeçar.

Ndërkohë, sot Abrashi është shprehur optimist se Kushtetuesja do të vendos në favor të tij, duke dërguar Prishtinën në zgjedhje.

E në rast se ankesa e tij kundërshtohet, Abrashi ka paralajmëruar se do të ankohet edhe në Gjykatën e Strasburgut.

“Rasti është shumë i thjesht për me vendosur dhe ka qenë shumë i lehtë… unë do të shoh gjitha mundësitë ligjore, përfshi dhe Strasburgun, duke përfshi dhe ekspertizën ndërkombëtare e edhe forma të tjera të ndëshkimit të gjithë atyre që munden me pas gisht në këtë rast”, ka thënë Abrashi.

Kujtojmë se Sipas rezultateve të publikuara në fund të procesit Shpend Ahmeti i ka marrë 42,262 vota ndërsa Arban Abrashi i LDK-së ka marrë 41,897vota.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme