Mësohen kandidatët e VV-së për kryetar në Ferizaj, Fushë-Kosovë e Podujevë

Prishtinë | 06 Gus 2017 | 12:54 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur t’i sfidojë figurat kryesore për kryetar komunash. Kështu, burime të Express, kanë treguar se Dardan Sejdiu do të jetë kandidat për Kryetar të Ferizajt, Liburin Aliu për Fushën-Kosovën, Driton Çaushi për Gjakovën. E befasia pritet të jetë Podujeva. Partia e Albin Kurtit po synon që atje ta dërgojë Shpejtim Bulliqin, ish-deputetin e LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje është duke imituar PDK’në e vitit 2007 kur kishte fituar zgjedhjet nacionale duke kandiduar figurat kryesore nëpër qytetet e mëdha të Kosovës. Atëkohë, edhe Hajredin Kuçi pati kandiduar në Pejë e Enver Hoxhaj në Suharekë. Të dytë patën humbur garën.

Tash, lëvizja e Albin Kurtit pritet t’i dërgojë fytyrat kryesore të partisë në qytetet ku mund të dalë fituese.

Burime të Gazetës Express kanë treguar se dy deputetët e rinj Dardan Sejdiu e Liburin Aliu do të shkojnë për të garuar për udhëheqës të Komunave.

Sejdiu pritet të kandidojë për Kryetar të Ferizajt, kurse, Aliu për udhëheqës të Komunës së Fushë Kosovë.

Edhe deputeti tjetër Driton Çaushi pritet të jetë kandidat për Kryetar të Gjakovës.

Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim nga Vetëvendosje lidhur me kandidaturat për Kryetar komunash, por askush, prej tyre nuk ka folur. Në fakt, ata kanë qëndrim partiak të mos komunikojnë me Express’in.

Burime të Express kanë treguar se Vetëvendosje është duke bërë gati një kandidat për ta marrë nën udhëheqje edhe bastionin e LDK’së, Podujevën. Fjala është për ish-deputetin, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi, në një intervistë televizive, kishte thënë se do të jetë kandidat për Kryetar të Podujevës pavarësisht nëse s’e kandidon LDK-ja.

Nuk e kishte mohuar mundësinë që garës t’i hyjë si i pavarur apo me ndonjë parti tjetër polikë. Kishte thënë se ofertë ka prej të gjitha partive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme