Meta: Adem Demaçi do të mbetet “Mandela i Europës” dhe “Saharovi” ynë

Prishtinë | 26 Kor 2020 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Në dy vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se përulen me respekt e mirënjohje te thellë para kujtimi të jetës dhe veprës së tij.

“Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor”.

“Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës”.

“Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Europës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj”.

“Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem! Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi!”, ka shkruar Meta në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme