Miftaraj e quan optimizëm të tepruar koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Ablin Kurti sot gjatë ditës ka bërë të ditur se dje kanë miratuar një dokument të rëndësishëm në luftimin e kriminalitetit në vend.

Kurti tutje theksoi se koncept dokumenti që kanë kaluar dje është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme.

Ai u shpreh se deri tani konfiskimi i pasurisë së paligjshme ka qenë i rregulluar përmes tre shtyllave të cila janë treguar të padobishme dhe joefikase.

“Para vetes ne kishim tri opcione: I pari, të vazhdojmë status quo-në dhe paligjshmërinë. I dyti, të mundohemi të përmirësojmë legjislacionin ekzistues duke shpresuar se do të përmirësohet sistemi i drejtësisë, dhe i treti, të synojmë një ligj të ri i cili sjellë një mekanizëm të ri ligjor”, u shpreh Kurti ndër tjera.

Lidhur me këtë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një prononcim për “Gazeta Blic“, ka thënë se iniciativa e tillë ka mbështetje popullore, por që kjo do të kishte sukses në shtetet ku sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe i paanshëm.

“Një iniciativë e tillë padyshim se ka mbështetje popullore dhe është i domosdoshëm për të kthyer pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme përmes formave të ndryshme të kriminalitetit. Sidoqoftë, një iniciative e tillë do kishte sukses në shtete ku sistemi i drejtësisë është i pavarur, paanshëm dhe zbaton drejtësinë në mënyrë të drejtë“, u shpreh Miftaraj për Gazeta Blic.

Miftaraj tutje tha se ndonëse në koncept dokument thuhet se do të formohet një agjenci e pavarur për të hetuar pasurinë e pajustifikueshme, kjo nuk do të mund të ndodh pa ndryshime kushtetuese dhe se një ligj i ri që do të pritej të zbatohej nga të njëjtit prokuror dhe gjykatës është një optimizë i tepruar.

“Edhe pse në koncept dokument thuhet të formohet një agjenci e pavarur për të hetuar pasurinë e pajustifikueshme, pa ndryshime kushtetuese kjo nuk mund të ndodh. Poashtu, të njëjtit prokuror dhe gjykatës që janë sot nga viti 2013 e kanë pasur bazën ligjore për të sekuestruar dhe konfiskuar pasurinë e paligjshme, kjo nuk ka ndodhur. Një ligj i ri si ky për tu zbatuar nga të njëjtit prokuror dhe gjykatës të cilët për tetë vite nuk kanë vepruar është optimizëm i tepruar“, tha ai.

Ky ligj sipas IKD-së, Miftaraj tha se do të kishte efekt vetëm pas procesit të Vettingut, ku sistemi i drejtësisë do të ishte i pavarur dhe i paanshëm”.

“Sipas IKD ky ligj do të kishte efekt vetëm pas një procesi të Vettingut, ku sistemi i drejtësisë do të ishte i pavarur, i guximshëm dhe i paanshëm. Kompetenca shtesë këtij sistemi të drejtësisë do të mund të konsiderohet si një mjet shtesë që mund të përdoret edhe ndaj vet pushtetit aktual“, tha në fund Miftaraj.

Të ngjashme