Miftaraj: Komentimi i vendimeve gjyqësore nga partitë politike është ndërhyrje në sistemin gjyqësor

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se komentimi i vendimeve gjyqësore nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejt në pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Këtë deklaratë Miftaraj e ka bërë në rrjetin social “Facebook”, pasi zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje u deklaruan kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila të martën e dënoi me tri vjet burgim deputeten e kësaj partie, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Komentimi i vendimeve gjyqësore (të drejta, të padrejta, të bazuara, të pabazuara) nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor”, ka shkruar Miftaraj, duke shtuar se Komisioni Evropian përmes raportit të progresit jo rastësisht i potencon çdo vit si probleme serioze politizimin dhe ndërhyrjet e politikës në sistemin gjyqësor në Kosovë.

Tutje, ai ka thënë se vettingu nuk ka alternativë, por se me deklarata të tilla politike, partia në pushtet nuk i ndihmon fare kërkesës popullore dhe nevojës për vetting në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, “përkundrazi po e dëmton atë rendë”.

“IKD në vazhdimësi ka kërkuar nga partitë politike që mos të propozojnë në lista për deputetë, kandidatë të akuzuar për korrupsion. Andaj, kur sot iu dënohen deputetët për vepra penale korruptive, llogari duhet kërkuar nga kryetari i partisë, kryesia e partisë dhe edhe vetë këshilli i përgjithshëm. Qeverisja me duar të pastra nuk matet me deklarata politike por me veprime”, ka përfunduar Miftaraj.

Të ngjashme