Miftaraj: Me intervistimin e gazetarit Gjergjaj është lënduar demokracia, mos të heshtet për rastin

Prishtinë | 22 Maj 2021 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, ka thënë se gazetari Mentor Gjergjaj, u intervistua dje nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, si i dyshuar për punën e tij, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës.

Miftaraj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se dje më 21 maj 2021, është lënduar demokracia, gjersa shtoi se ky është vetëm fillimi.

“Gazetaret, mediat, shoqeria civile, publiku munden me edhe heshte, por me siguri, ama sigurte neser, pasneser viktime e sistemit do jesh TI”, shkroi Miftaraj.

“Deri pardje kishim problem me sistem te kapur, sistem te korruptuar, nga dje kemi bere nje hap prapa, kemi demokraci te kapur dhe kufizim te drejtave dhe lirive te njeriut”, tha Miftaraj.

Postimi i plotë i Miftarajt:

21 maj 2021-Kronika e zezë!

Ne kundershtim me Kushtetute, ne kundershtim me ligj, intervistohet si i pandehur gazetari Mentor Gjergjaj.

Nese e shkel Kushtetuten, Presidenti ose Kryeministri, ke besim se Gjykata Kushtetuese mund te ri-paroj nje situate te tille. Presioni publik poashtu e ruan nje lloj balanci te te drejtave.

Kur Kushtetuten dhe ligjin e shkel Prokurori, perkthehet ne shkelje te te drejtave dhe lirive te njeriut, ne rastin konkret te gazetarit Mentor Gjergjaj, dhe kur kjo shkelje vazhdon ne menyre sistematike dhe ne heshtje, rrezikohet demokracia.

Dje me 21 maj 2021, eshte lendu demokracia, dhe ky eshte vetem fillimi. Gazetaret, mediat, shoqeria civile, publiku munden edhe me heshte, por me siguri, ama sigurte neser, pasneser viktime e sistemit do jesh TI.

Deri pardje kishim problem me sistem te kapur, sistem te korruptuar, nga dje kemi bere nje hap prapa, kemi demokraci te kapur dhe kufizim te drejtave dhe lirive te njeriut.

Ndryshe, sot gjatë ditës ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK lidhur me ftesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë drejtuar Gazetarit, Mentor Gjergjaj.

AGK është shprehur e shqetësuar që edhe pas reagimit në rastin e ftesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë drejtuar gazetarit, Mentor Gjergjaj, nuk është marrë parasysh kërkesa që gazetarët të mos ndiqen për shkak të ushtrimit të profesionit të tyre.

“AGK është njoftuar që, megjithëse ka kërkuar që të tërhiqet ftesa ndaj gazetarit Gjergjajt për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, Prokuroria e Shtetit, përmes Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kundërligjshëm kanë urdhëruar intervistimin e tij si gazetar, në cilësinë e të dyshuarit, në bazë të një Kallëzimi Penal, të paraqitur ndaj tij nga i njëjti person i cili para 3 vitesh, gjegjësisht më 3 maj 2018, e ka kanosur ekipin e gazetës Express”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Po ashtu, lidhur me këtë intervistim, ka njoftuar vetë gazetari Gjergjaj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Gjergjaj shkroi se Prokuroria e Shtetit, përmes Prokurorisë Themelore të Gjakovës, kundërligjshëm u ka hapur derën grupeve kriminale, që përmes tyre të ushtrojnë presion dhe ‘kërcënojnë’ gazetarët me ndjekje penale për punën dhe misionin e tyre krejtësisht në interes të publikut.

“Viktima e parë e kësaj mënyre të re, të sofistikuar, rastisa të jem unë”, shkroi gazetari Gjergjaj.

Postimi i plotë i Mentor Gjergjajt:

Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, sot, në stacionin e Policisë në Gjakovë, në prani të avokatit Arianit Koci, jam intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me rastin 3 majit 2018, që tashmë është bërë publik, ku unë isha duke e kryer punën e gazetarit, atëkohë pjesë e redaksisë së Express’it.

Sot, Prokuroria e Shtetit, përmes Prokurorisë Themelore të Gjakovës, kundërligjshëm u ka hapur derën grupeve kriminale, që përmes tyre të ushtrojnë presion dhe ‘kërcënojnë’ gazetarët me ndjekje penale për punën dhe misionin e tyre krejtësisht në interes të publikut.

Viktima e parë e kësaj mënyre të re, të sofistikuar, rastisa të jem unë.

Gjatë intervistimit sot mu ka konfirmuar edhe një herë se një prokuror ka urdhëruar intervistimin tim si gazetar, në cilësinë e të dyshuarit, në bazë të një Kallëzimi Penal, i paraqitur ndaj meje nga i njëjti person të cilin unë para 3 vitesh, më 3 maj 2018, e kam denoncuar për kanosje të ekipit të gazetës.

Imagjinoni, kallëzimi penal, gjysmë faqesh, që nuk pat asnjë datë të shënuar se kur është dorëzuar, me anë të të cilit Prokuroria menjëherë më ka cilësuar si të dyshuar, konfirmoi se organi që ka obligim Kushtetues të më ofroj siguri mua dhe secilit qytetar të Kosovës, kundërligjshëm po më ushtron presion dhe po provon të më shkaktojë telashe të paqena ligjore, shkaku i punës sime.

Kallëzuesi penal në këtë rast, në 6-7 rreshtat e kallëzimit penal me të cilin Prokuroria e Shtetit, – që unë dyshoj shumë se po ndodhë me porosi të një grupi të rrezikshëm kriminal në rajonin e Gjakovës, që një javë ditë është duke më intimiduar dhe ushtruar presion për shkak të punës sime si gazetar -, i referohet CD-së me incizimin/provën e inicimit të kanosjes që i njëjti e kishte bërë me 3 maj 2018 ndaj meje dhe ekipit tjetër të gazetës Express, që për ekzistimin e së cilës pa asnjë dyshim del se është informuar nga autoritetet e sigurisë.

Incizimi në fjalë i momentin të kanosjes, nga unë si gazetar dhe denoncues i kanosjes së 3 majit 2018 nuk është publikuar asnjëherë, as në gazetën Express ku është botuar artikulli, e as askund tjetër. Incizimin në fjalë, ia kam dorëzuar si provë vetëm Prokurorisë Themelore të Gjakovës, dhe atë përmes e-mailit.

Këtu më lind arsyeshëm dyshimi se shumëzimi/kopjimi i incizimit në CD, siç i referohet kallëzuesi penal, ka mundur të rrjedhë vetëm nga ky organ i cili e ka administruar atë incizim të përcjellur nga unë me e-mail, tek Prokuroria, si dëshmi për kanosjen e 3 majit 2018, gjatë raportimit nga Gjakova.

Po ashtu, kallëzimi penal përmban edhe të dhëna personale të mijat, siç janë ato që zakonisht jepen gjatë çdo fillimi të një intervistimi.

Mua më lind pyetja se si ka mundur t’i ketë e t’i njoh dikush ato të dhëna personale të mija, derisa unë në publik sikurse çdo kund tjetër prezantohem vetëm me emrin dhe mbiemrin tim dhe redaksinë ku e kryej punën.

Arsyeshëm më lind dyshimi se kushdo nga organet e sigurisë që e ka informuar kallëzuesin për incimizimin që unë e kam dorëzuar në vitin 2018 në Prokurorinë Themelore të Gjakovës si provë për rastin e kanosjes, t’i ketë dhënë të njëjtit edhe të dhënat personale të mijat.

Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, kallëzimi penal, gjysmë faqesh, që u prezantua sot ndaj meje nuk kishte fare asnjë datë të shënuar.

Prokuroria Themelore e Gjakovës duhet të sqarojë nëse përmes një komunikate të lëshuar të hënën për media, mashtroi, opinionin publik kur iu është referuar disa datave që gjoja sipas tyre është ushtuar kallëzimin penal ndaj meje.

Unë dhe opinioni publik duhet ta dimë se si u ‘shpiken’ ato data, derisa kallëzimi penal që m’u prezantua sot nuk përmbante asnjë datë apo ditë të hartimit të saj, shtoja këtë se data e inicimit, për shumë arsyeje të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka shumë rendësi gjatë procedurës hetimore.

Kaq për nivelin e prokurorëve, që me ose pa dijeninë e tyre, në shërbim të grupeve kriminale, ‘kërcënojnë’ e ushtrojnë presion ndaj gazetarëve, duke i intervistuar si të dyshuar me raste siç ky i imi i 3 majit 2018 ku isha duke e kryer krejtësisht me përgjegjësi e profesionalizëm punën time, e duke shpikur kallëzime penale me ndihmën e rrjedhjes se jashtëligjshme, nga organet e sigurisë, të informacioneve dhe provave që unë vetë i kam dorëzuar në Prokurori për të dëshmuar kanosjen gjatë kryerjes së detyrës sime.

Natyrisht, unë, sikurse çdo gazetarë tjetër, nuk do të dorëzohem as intimidohem nga kjo përpjekje e kundërligjshme dhe tejet e rrezikshme për lirinë e gazetarëve dhe shtypit në Kosovë, e garantuar me Kushtetutë e e siguruar mirë me ligje të veçanta që mbrojnë punen tonë fisnike.

Do t’i shkojë mbrapa secilës procedurë të paraparë me ligj për ndëshkimin e secilit veprim amator, të kundërligjshëm, e të rrezikshëm për punën e sigurinë time, mbase pse jo edhe të porositur ndaj meje, të kësaj përpjekje shqetësuese frikësimi e dëmtimi ndaj meje, shkaku i punës dhe përvojës sime si gazetar.

Të ngjashme