Miftaraj: Ndalja e pagave për grevistët – në kundërshtim me ligjin, Ligji për Greva duhet të interpretohet në pajtim në standardet ndërkombëtare

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 10:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, konsideron se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin.

Sipas juristit Miftaraj, Ligji për Grevat duhet të interpretohet në pajtim në standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë, duke siguruar të drejtën e grevës.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Miftaraj theksoi se është arbitrare që të pezullohen pagat për grevistëve. Madje sipas tij, grevistë mund t’i marrin pagat nëse dorëzojnë padi në gjykatë, por shteti do të ketë trefish shpenzime, për të paguar shpenzimet e avokatëve etj.

Miftaraj thotë se nëse veprohet siç po thotë Qeveria Sindikata duhet që 100 vjet të marrë pagesë prej anëtarësisë për t’i paguar grevistët vetëm dy muaj.

Kjo ngase sipas tij, Sindikata e ka buxheti vjetor 700 mijë euro, kurse çdo muaj shteti jep paga deri në 35 milionë euro.

“Pezullimi i pagave është i kundërligjshëm, pasi Ligji për Grevat, në nenin 1, përcakton që ligji ka për qëllim t’iu ofrojë të drejtat dhe benificionet e grevistëve, dhe këto të drejta duhet të interpretohen në pajtim në standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë. Standardet ndërkombëtare në këtë rast janë opinionet ligjore dhe praktikat më të mira të Organizatës Ndërkombëtare të Punës”.

“Me vetë faktin që Kosova është një shtet i ri dhe pothuaj se sindikata s’ka mjete, e ka një buxhet të kufizuar për t’ua paguar grevistëve ditët e humbura në grevë kjo automatikisht e detyron shtetin që mos të marrë masa represive, duke u kufizuar të drejtën për pagë grevistëve. Është arbitrare që të kufizohen e t’u pezullohen pagat grevistëve”.

“Çdo mësimdhënës nëse do të bëni padi do të siguronin pagat do të hynin edhe shpenzimet e tjera, si për avokatin, pagesat administrative etj. Në bazë të llogaritjeve, 1 000 euro shkojnë zakonisht për avokat, kamata ligjore do të ketë një trefishim të obligimeve të shtetit në raport me grevistët”.

“Shteti po e lexon Ligjin për Greva, nuk po e interpreton atë. Fillimisht e ka për detyrë ta lexojë e ta kuptojnë atë dhe praktikat ndërkombëtare”.

“SBAShK brenda vitit ka buxhet 700 mijë euro, por nëse do të bëjë grevë duhet të pres 100 vjet për t’i mbledhur 70 milionë euro prej anëtarësisë, duke mos bërë asnjë shpenzim shtesë, ngase brenda muajit vetëm në sektorin publik jepen 35 milionë euro paga, i bie që Sindikata duhet të marrë anëtarësi për 100 vjet për t’i paguar grevistët që janë në grevë dy muaj”.

Të ngjashme