Miftaraj: Përzgjedhja e Kryeprokurorit të kthehet në pikën zero, i papranueshëm propozimi i KPK-së

Prishtinë | 30 Kor 2022 | 08:03 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Janë bërë më shumë se 2 muaj, prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dorëzuar në Zyrën e Presidencës, emrin e Blerim Isufajt për t’u dekretuar si kryeprokuror i Kosovës. Por, presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka vendosur për kryeprokurorin e ri, i cili u përzgjodh nga KPK pas një procesit që u kritikua nga shoqëria civile, raporton Ekonomia Online.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se propozimi i Blerim Isufajt nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit është i papranueshëm dhe si i tillë duhet të kthehet në pikën zero. 

Ehat Miftaraj nga IKD thotë për Ekonomia Online se dekretimi i Isufajt për Kryeprokuror është përcjellë me dinjitet të cenueshëm.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi bashkë me Lëvizjen FOL, me grupin për studime juridike dhe politike kanë monitoruar nga afër tërë procesin e emërimit dhe propozimit për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit. Në bazë të analizës sonë e cila është bërë publike kemi gjetur që fatkeqësisht ky proces nuk është përcjellë në mënyrën më të mirë të duhur, ka munguar meritokracia e çka është edhe më e rëndësishme ky proces është me dinjitet jashtëzakonisht të cenueshëm. Për vet faktin që Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një proces të drejtë dhe të pavarur dhe të paanshme ku besimi i publikut për kandidatin dhe procesin për Kryeprokuror të shtetit do të ishte i pacenueshëm ka ndikuar që të jemi në një situatë ku me muaj të tërë dhe ende nuk kemi një vendim lidhur me dekretimin apo mos dekretimin kandidatit të dekretuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, tha ai.

Vonesat për dekretim të Isufajt për Miftarajn janë me bazë, pasi thotë se KPK-ja nuk ka arritur ta bindë Presidencën që ky proces ka qenë në përputhje me Kushtetutën.

“Për zyrën e Presidentes do të ishte jashtëzakonisht lehtë qe të merrej një vendim për dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nëse Këshilli Prokurorial i Kosovës do të siguronte qe i ka përcjellë, i ka udhëhequr procedurat në bazë të Kushtetutës, ligjit në bazë të akteve të brendshme të miratuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Përderisa KPK-ja ka dështuar për ta zbatuar ligjin për të siguruar një proces të bazuar në integritet dhe meritokraci në njëfarë mënyre e ka vënë Presidenten në një pozitë të tillë që duhet të vlerësoj procesin brenda mandatit të saj Kushtetues për të marr një vendim nëse mund të dekretohet apo mos dekretohet kandidati i propozuar”, tha tutje Miftaraj.

Miftaraj ka kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero, pasi thotë se KPK-ja ka bërë shkelje të mëdha.

“Procesi lehtësisht mund të kthehet në pikën zero pasi që shkeljet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës janë aq të mëdha saqë besojë qe një shtet demokratik siç është Kosova, një shtet ku Kushtetuta e kërkon  zyra e Presidentes , presidentja të sigurohet që institucionet Kushtetuese të funksionojnë në mënyrë demokratike, do të thotë që të ndikojnë që ky proces të kthehet në pikën zero pasi që gjitha ato parimet e paanshmërisë, Pavarësisë , integritetit, meritokracisë pothuajse janë shkelur apo nuk janë respektuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, tha Miftaraj.

Të ngjashme