Miftaraj: Vendimi i Kurtit për pagat populist, nuk u respektuan procedurat

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 15:50 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimi i qeverisë Kurti për uljen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin e tij, po shihet më shumë si popullor dhe pa u respektuar ligji e as procedura.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se Qeveria Kurti nuk duhet të ngutet e as të marrë vendime që janë popullore, por që nuk gjejnë mbështetje në Ligj apo që nuk respektohen procedurat.

“Vendimi i Qeverisë Kurti, padyshim se është shumë legjitim, i drejtë popullor por që fatkeqësisht nuk e kanë respektuar ligjin dhe as procedurat. IKD-ja në vitin 2017 kishte reaguar kundër vendimit kundërligjshëm të qeverisë Haradinaj, që përmes vendimit të qeverisë të ngrisë pagat kryeministrin, ministrin, për një pjesë të kabinetit qeveritar dhe këshilltarëve, e që indirekt pa e ditur që Qeveria Haradinaj pa e ditur e kishte ngritur pagat për gjyqtarë dhe prokurorë. Jemi para dy paradokseve”.

“Kemi Qeverinë Haradinajn që me vendim kundërligjshëm kishte ngritur pagat për vete dhe një kategorie individësh dhe kemi vendimin e Qeverisë Kurti, i cili vendim ka krejtësisht tjetër qwllim, por që nuk i ka respektuar ligjin e as procedurat. Në bazë të Kushtetutës, Gjykata dhe Prokuroritë janë të pavarura, dhe kësisoj, ekzekutivi nuk ka të drejtë që të marrë vendime që prekin pagat e gjyqtarëve e as prokuroreve. Qeveria Kurti nuk duhet të ngutet e as të marrë vendime që janë popullore, por që nuk gjejnë mbështetje në Ligj apo që nuk respektohen procedurat”, ka thënë Miftaraj.

Në vendimin e 20 dhjetorit të viti 2017, Qeveria e kaluar kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind.

Kryeministrit Haradinaj nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro. Por nëse Ligji i ri për Paga hyn në fuqi në muajin mars, atëherë kryeministrit Kurti sërish i rritet paga.

Kësisoj, Miftaraj thotë se më Kurti nuk ka të drejtë të ulë apo ngrisë pagat edhe për kabinetin qeveritarë

“Është shumë e vërtetë se me ligjin e ri për pagat nëse hyn në fuqi në muajin mars dhe nëse nuk kthehet nga Gjykata Kushtetuese, pagat e kryeministrit përafërsisht 2400 euro dhe nëse ky vendim hynë në fuqi, atëherë vendimi i sotëm mund të vlejë për një muaj ose dy, sepse kur të hyjë vendimi në fuqi që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, atëherë qeveria Kurti nuk ka të drejtë me vendime të ulë apo ngrisë pagat edhe për kabinetin qeveritarë”, ka thënë Miftaraj.

Miftaraj ka thënë se Qeveria e kaluar kishte marrë vendime kundërligjshëm. Sipas tij, qytetarët presin nga Kurti që të marrë vendime që janë në interes të përgjithshëm por duke u respektuar ligji.

Miftaraj ka sugjeruar Qeveritë që para marrjes së vendimit të analizojnë dhe të sigurohet që po respektohet ligji.

“Është e vërtetë se gjatë fushatës partitë politike japin premtime. Vendimi i Qeverisë Haradinaj ka qenë vendim i kundërligjshëm, një vendim që i ka prishë balancat në sisteme dhe në pozita të tjera. Qeveria Kurti, qytetarët presin që të marrë vendime që janë në interes të përgjithshëm por që duhet të respektohet ligji”.

“Nga perspektiva ime e kuptoj që populli janë të ekzaltuar dhe e konsiderojnë këtë vendim shumë popullor dhe të mirë dhe të njëjtën mendim e ndaj edhe unë, por si jurist jam fanatik i asaj që qeveritë para marrjes së vendimit ta analizojnë dhe të sigurohen të respektohet ligji dhe procedura. Nëse një qeveri që ka qëllime më të mira e nuk respekton ligjin, atëherë ato vendime janë kundërligjshme”, ka thënë ai.

Të ngjashme