Mijëra qytetarë në shesh në mbrojtje të Haradinajt

Prishtinë | 21 Jan 2017 | 13:07 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në përkrahje të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë pas ndalimit nga autoritetet franceze në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë.

Protesta e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përfunduar e qetë, pas fjalimeve të përfaqësuesve të organizatave të luftës e të disa subjekteve politike.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se janë tubuar sot që t’i çojnë mesazh regjimit fashist të Beogradit, sikur e quajti ai, të heqë dorë nga e kaluara e t’i kthehet realitetit. Ai shtoi se ish-luftëtarët nuk mund të frikësohen me akuza të fabrikuara si kjo ndaj Haradinajt, raporton Ekonomia Online.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e pastër. Haradinaj ka dëshmuar pafajësinë në Hagë dhe i bëjmë thirrje Francës mike që të mos e ekstradojë Haradinajn në Serbi”, ka thënë Gucati.

Gucati u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që të heqin dorë nga akuzat mashtruese të Serbisë, duke shpresuar që Franca nuk do t’i zbatojë urdhrat e Serbisë, ushtria e të cilit shtet bëri krime mbi popullatën e pafajshme shqiptare.

fatmir limaj

Masës së mbledhur pata Teatrit Kombëtar i është drejtuar dhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili dhe vetë është përballur me akuza për krime lufte dhe ka dalë i pastër.

“Boll ma e keni tepruar. Nuk do të mund të luani me Kosovën”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.

Kreu i Nismës, e cila tashmë ka paralajmëruar koalicion me Aleancën e Haradinajt, tha se kush e prek Haradinajn i prek edhe themelet e shtetit të Kosovës.

Limaj ka kërkuar pezullimin e bisedimeve me Serbinë, ose të qartësohet se si dhe për çka mund të zhvillohen bisedimet.

“Është e habitshme se si dy nxënësit, ekzekutuesit e politikës së Millosheviqit, Vuçiqi e Daçiqi, po luajnë me liri e drejtësi dhe me botën. Kjo jo vetëm që është fyese dhe ofenduese për ne si Kosovë, por besoj që është fyese për secilin vend demokratik të cilët bëhen instrument politik të politikave shoviniste të pasardhësve të Millosheviqit. Prandaj edhe ne themi boll ma se e keni tepruar”, tha Limaj.

Qytetarët kanë ardhur në mënyrë të organizuar me autobusë prej vendeve të ndryshme për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet.

ardian gjini

Gjini: Populli është lodhur nga korrupsioni e qeverisja pa pikë vizioni

Nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini, në fjalimin e tij tha se janë bërë shumë padrejtësi ndaj Haradinajt. Por, ai ka thënë se shumë shpejt Haradinaj do të jetë në Kosovë.

“Qytetarë të Kosovës bashkëluftëtarë të Haradinajt, këtu sot po shohim Kosovën që gjithë ju jeni Kosova, gjithë ju jeni liria, gjithë ju jeni Ramush Haradinaj, tërë populli i Kosovës janë të mërzitur me arrestimin e Ramush Haradinajt, me korrupsion, me qeverisje pa pikë vizioni”.

“Qytetarë të Kosovës edhe shtete të vjetra janë gjunjëzuar prej këtij funksionimi të qeverisë, me popullin në këmbë nuk ka mu gjunjëzu Kosova kurrë. Populli i Kosovës ka kaluar shumë ditë me vuajtje, por i ka ardhur fundi. Ramush Haradinaj nuk duhet të lejohet më tutje të qëndrojë në Francë… Evropa nuk duhet të lejojë që këta njerëz në Serbi të mbajnë krejt Ballkanin si në kohë lufte”, ka thënë Gjini.

Haradinaj është ndalur më 4 janar në Aeroportin e Baselit, në zonën franceze të Moulhouse në bazë të një flet arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2014. Lideri AAK-së pas daljes para trupit gjykues është liruar me kusht, por është i detyruar të qëndrojë në Francë deri në marrjen e vendimit për lirimin e  tij.

gucatiprotesta1 protesta3 protesta4 protesta5

Të ngjashme