Milaim Zeka: Kot shkojmë bisedojmë për të pagjeturit, nëse s’i themi Serbisë që edhe ne ua kthejmë kufomat

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Ish deputeti Milaim Zeka, vlerëson se në bisedime me Serbinë duhet të shtrohen temat në mënyrë të logjikshme.

Zeka në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që përparësia e Serbisë në dialog në krahasim me ne, është se ata flasin për liritë individuale.

“Ne flasim për liritë kolektive, të cilat perëndimi nuk i kupton. Ne duhet t’i themi Uashingtonit dhe miqve tanë që ne ua garantojmë të drejtat e barabarta minoritetit serb në Kosovë”.

“Nëse ne nuk jemi në gjendje t’i themi Serbisë që edhe ne jemi të gatshëm të ua kthejmë kufomat e juaja, serbët e zhdukur në Kosovë, atëherë ne kot shkojmë dhe bisedojmë edhe për të pagjeturit”.

Zeka e ka kujtuar nënën e tij, fati i së cilës nuk dihet që nga lufta e vitit 1999.

“Askush nuk mund të tallet me kufomat e askujt, pavarësisht nacionalitetit që e kanë. Unë e kam nënën e zhdukur dhe mua më intereson ta gjej dhe ta varrosi nënën time, njëjtë si i kemi 1700 të pagjetur tjerë”.

Sipas Zekës, qëllimi i vetëm i Serbisë është formimi i asociacionit të komunave serbe me pushtet ekzekutiv.

“Asociacioni i komunave serbe, është pandemia më e madhe, kanceri më i madh që mund t’i futet Kosovës brenda. Qëllimi i Serbisë, nuk është te shkëmbimi i territoreve, s’ka qëllim tjetër Serbia pos krijimit të asociacionit me pushtet ekzekutiv. Kjo do të thotë që nese do të ketë pushtet ekzekutiv asociacioni, kisha serbe në Prizren do të ketë më fuqi ekzekutive se vet komuna e Prizrenit”.

Të ngjashme