Milionat e shtetit ndahen në fushatë

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 07:29 | Nga Ekonomia Online

Pushteti e ka hapur “kuletën” në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Në kohë fushate elektorale dy ministri i kanë të hapura thirrjet për aplikim grantesh, vlera komulative e të cilave është 7 milionë euro.

Vendimet janë marrë në kohën kur Qeveria është në dorëheqje, ndërsa Kuvendi është shpërndarë, për çka vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të caktuara për 6 tetor, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vendimet elektorale nuk kanë pushuar nga ministrat, ndonëse shkaku i dilemës rreth kufizimeve në vendimmarrje, Ramush Haradinaj prejse është dorëhequr nga pozita e kryeministrit ka thirrur vetëm një mbledhje të Qeverisë dhe edhe në të nuk është marrë ndonjë vendim. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të tregojë se a kufizohen kompetencat e një Qeverie që është në dorëheqje, nën arsyetimin se kryeministri që e kishte kërkuar interpretimin, nuk ishte konsideruar palë për ta ngritur këtë çështje në gjykatë.

Për pasojë, ministrat nuk janë përmbajtur nga vendimet, të cilat janë të natyrave të ndryshme – nga ndarja e milionave të shtetit, deri te emërime politike e punësime të ndryshme.

Të ngjashme