Minishengeni Ballkanik po konsiderohet i dëmshëm për Kosovën në aspektin ekonomik e politik

Prishtinë | 20 Tet 2019 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Pretendimet për themelimin e një minishengeni Ballkanik po konsiderohen se janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, edhe të dëmshme në aspektin ekonomik, si dhe atë politik.

Fituese për nga ekonomia dhe tregu po shihet të jetë vet shteti serb, bashkë me shtetet tjera të rajonit.

Të paktën kështu thonë njohës të fushës ekonomike dhe fituesja e zgjedhjeve të 6 tetorit, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi thotë për KosovaPress, se arritja e një minishengeni të tillë është më së paku në interesin e Kosovës.

Teksa i ka bërë thirrje qeverisë së ardhshme që t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet e CEFT-ës dhe të MSA-së, pasi sipas tij, e kanë dëmtuar dhe shkatërruar prodhimin vendor dhe nuk kanë ndikuar në rritjen e eksportit.

“Arritja e një minishengeni është më së paku në interes të Kosovës, si në aspektin politik, por edhe ashtu në aspektin ekonomik është më i dëmshëm. Përvoja që e kemi më marrëveshjen e CEFT-ës, por edhe MSA-së, Kosova nuk ka përfituar asgjë nga këto marrëveshje. Përkundrazi Kosova ka pësuar dëme të jashtëzakonshme nga këto marrëveshje. Do të jetë shteti serb, do të jenë shtetet e rajonit dhe humbëse edhe një herë do të jetë Republika e Kosovës. Nuk është interes i joni si shtet, të bëjmë këso lloj marrëveshje. I bëjmë thirrje Qeverisë në ardhje, kushdo që vjen që me urgjencë të shikojë rinegocimin e këtyre marrëveshjeve. Janë marrëveshje që e kanë dëmtuar dhe shkatërruar prodhimin vendor dhe nuk kanë ndikuar në rritjen e eksportit, punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve tonë”, thotë ai.

Se ky minishengen është i dëmshëm për Kosovën e thotë dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, teksa shton se kjo do të ishte e papërballueshme, pasi Kosova nuk ka ekonomi vendore dhe prodhim vendor për të eksportuar në shtetet tjera rajonale.

“Kjo vetëm çka do të bëjë dëme, gjithë këto shtete dhe BE tenton që këto shtete të aderojnë në BE, e jo në këso minishegene. Derisa nuk kemi një kontroll nga BE-ja, ne jemi shtete shumë të brishta që nuk e kemi një të kaluar të largët të konfliktit që e kemi pasur në vitet e 90-ta. Për fat jo të mirë, ne nuk kemi krijuar ekonomi vendore, prodhim vendor, por ne sillemi vetëm si shtet që importohemi dhe një vend tranzit edhe nga ana e mallrave”, thotë Kadriaj.

Ndërkaq, nga ana e partisë fituese sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizjes Vetëvendosje thonë se kjo tentativë është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe nuk do të mbështesin.

Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Albulena Haxhiu adresoi kritika ndaj qeverisjes në Shqipëri, pasi sipas saj ajo nuk po e sheh dhe nuk po e trajton në mënyrën si është ky shtet.

“Republika e Shqipërisë duhet ta shikojë Serbinë ashtu siç e shikon Kosova. Mendoj që qeverisja aktuale nuk e ka parë Serbinë si Kosova. Këtu na ka shkaktuar jashtëzakonisht dëm të madh. Për faktin se ajo duhet të trajtojë Serbinë mënyrën çfarë është, ka pasur veprime të tilla, sikur takimi i fundit. Ne kemi kundërshtuar këtë dakordim të tyre, kemi pas qëndrime nga organizata jonë që vepron në Shqipëri. Kjo është në kundërshtim me interesat e Kosovës. Prandaj nuk e kemi mbështetur”, thotë Haxhiu.

Të enjten e javës së kaluar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ranë dakord gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. Derisa Kosova nuk ishte pjesë e këtij takimi.

Të ngjashme