Ministrat e LDK-së nuk votuan shkarkimet e bordeve e as vendimin për ndarjen e 500 mijë eurove për Luginën

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e Lidhjes Demokratike në kabinetin Kurti nuk kanë marrë pjesë në shumicën e votimeve online të Qeverisë, sidomos atyre për shkarkimin dhe emërimin e bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike.

Për shkak të pandemisë COVID-19, mbledhjet sikurse edhe votimi janë zhvilluar në mënyrë virtuale.

Nga burime brenda Qeverisë, gazeta ka arritur t’i sigurojë disa prej votimeve të anëtarëve të kabinetit, pas rrëzimit të Qeverisë me mocionin e iniciuar nga LDK-ja. Pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti, në kabinet kanë mbetur edhe pesë ministra të tjerë nga radhët e këtij subjekti, që po vazhdojnë t’i ushtrojnë detyrat e tyre.

Ndër vendimet e para në mbledhjet online është ai për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë, si zëvendësim i taksës prej 100 për qind. Por ministrat e LDK-së nuk kanë deklaruar kurrfarë vote për këtë çështje. Vendosja e reciprocitetit ishte një nga arsyet e përmendura prej Lidhjes Demokratike që çuan në inicimin e mocionit të mosbesimit në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Edhe pse ka qenë premtim elektoral i të dyja partive dhe ishte përfshirë në programin qeverisës, LDK-ja u zmbraps nga reciprociteti për shkak të kundërshtimit të ambasadorit amerikan, njëherësh emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Heqja e reciprocitetit është paralajmëruar të jetë një nga vendimet e para të Avdullah Hotit, i cili është dekretuar për kryeministër nga presidenti Thaçi, nëse Kushtetuesja nuk e hedh poshtë.

Ministrat e LDK-së nuk kanë votuar as në mbledhjen ku Qeveria ndau 500 mijë euro për Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ky vendim ishte marrë në mbledhjen e 26-të të Qeverisë me qëllim mbështetjen financiare të Luginës, për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia, shkruan kohanet.

Të ngjashme