Ministrat e rinj do të gëzojnë pagë 1-vjeçare

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 19:41 | Nga

Vendimin e së hënës të kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa, për emërimin e katër ministrave të rinj në vend të atyre që u bënë deputetë, shoqëria civile po e konsideron si të panevojshëm.
Sipas Albert Krasniqit nga KDI-ja, ministrat e zgjedhur deputetë do të mund të mbanin pozitat e tyre deri në konstituimin e kuvendit.

Edhe ashtu e konsideruar si qeveri luksi, vendimi për emërimin e tyre Krasniqi konsideron se do t’i bëhet barrë buxhetit të shtetit.

Analisti Krenar Shala nuk e sheh shumë problematike kompensimin e tyre financiar sa mosefikasitetin e ministrave të qeverisë.

Megjithatë, një vendim të tillë e ka mbrojtur Sokol Havolli, shef i kabinetit të Mustafës, i cili konstatimin e Krasniqit e ka quajtur të gabuar, raporton KTV.

Havolli, lidhur me kompensimin e tyre, ka thënë se kjo nuk do të përbëjë kosto shtesë, pasi që të emëruarit veçse kishin pozita në kabinetin qeveritar.

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, të hënën, emëroi Agim Krasniqin në vend të Avdullah Hotit, Vlora Dumoshin në vend të Kujtim Shalës, Hanefi Muharremin në vend të Lutfi Zharkut e Safet Kamberin në vend të Arban Abrashit.

Megjithatë, ky mund të mos jetë vendimi i fundit i kësaj natyre i kryeministrit në detyrë, pasi që edhe njëri prej ish-ministrave, tani deputet nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se do të ngrihet kjo çështje te kryeministri.

Përveç Hoxhajt, nga PDK-ja, në pozitë të njëjtë është edhe Memli Krasniqi, që udhëhoqi Ministrinë e Bujqësisë.

Në mars të vitit 2005, atëherë kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë një vendim për kompensimin e ministrave e ish-ministrave deri në 1 vit pas përfundimit të mandatit, nëse nuk kanë burim tjetër të të ardhurave.

Një vendim i tillë ishte modifikuar lehtë në vitin 2007 nga kryeministri Agim Çeku, ndërsa edhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, e kishte modifikuar atë në vitin 2015, duke e shkurtuar nga 1 vit në 6 muaj kohëzgjatjen e kompensimit për zëvendësministra, që marrin 70 % të pagës së fundit.

Të ngjashme