Ministri Aliu me Komunitetin e Transportit të BE-së “inspektojnë” rehabilitimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit -Mitrovicë

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 10:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së bashku me përfaqësues nga BE-ja dhe Sekretariati i Komunitetit të Transportit, kanë vizituar vendpunishten në Miradi të Fushë-Kosovës, me ç’rast kanë mbajtur një konferencë për medie, në lidhje me ecurinë e rehabilitimit gjeneral dhe modernizimit të linjës hekurudhore, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast ministri Aliu, ka thënë se Kosova me anë të linjës hekurudhore do të lidhet me vendet e rajonit, e që do të jetë e rëndësishme sidomos për transportin e mallrave.

“Jemi në Miradi, pranë hekurudhës që lidh Hanin e Elezit që është pjesa ë parë e projektit që lidh Hanin e Elezit me Leshakun. Kemi ardhur të vizitojmë punishten për këtë projekt që është i rëndësishëm që ka të bëjë me rehabilitimin e linjave hekurudhore. Ky projekt është në fazën e përfundimit nga Fushë-Kosova në Mitrovicë. Këto projekte do të mbulohen me dizajne preliminare. Modernizimi nënkupton projekte të sinjalistikës. Këto projekte janë të rëndësishme edhe për qarkullimin e brendshëm”.

Ai tha se zhvillimi i portit të Durrësit do ta rrisë rëndësinë e linjës hekurudhore për transportit e mallrave. “Në të gjitha anët Kosova do të jetë e kyçur me regjionin dhe lëvizjen e lirë të mallrave e udhëtarëve”, tha Aliu.

 “Pritën projekte edhe me BE. Nesër kemi mbledhje të rëndësishme ministrore e vendeve të Ballkanit dhe do të kemi prezent ministrat e regjionit. Është projekti i parë që ka të bëjë me modernizimin e linjave hekurudhore”.

Aliu foli edhe për Terminalin Doganor në Han të Elezit, si dhe ndikim e rritjes së çmimeve në projektet infrastrukturore.

“Tek linja Prishtinë – Shkup jemi në fazën e rehabilitimit. Një çështje tjetër është rregulli i Terminalit Doganor në Hanin e Elezit. Janë disa projekte në vazhdimësi. Rritja e çmimeve në përgjithësi për produkte ndërtimore ka ndikime të veta, por po bëjmë përpjekje që të mos ndikojnë në projekte”, tha Aliu.

Kurse, përfaqësuesi nga BE-ja, i cili është koordinator i komunitetit të transportit për gjashtë vende të Ballkanit, Matej Zakonjšek, tha se një nga prioritetet e tyre është që të modernizojnë transportin në rajon.

Ai ka thënë se cilësia e transportit në rajon ka shkuar mbrapa vitet e fundit dhe për ta përmirësuar këtë duhet që të ketë modernizim të hekurudhave.

Sipas tij, në stacionet kryesore hekurudhore në Kosovë ka hapësirë që të kalojnë 30 – 40 trena brenda një ore. “Transportin hekurudhor në Ballkan mund ta bëjmë modern dhe konkurrues. Nesër kemi takimi të rëndësishëm ministror, ku do të diskutojmë saktësisht si do të bëhet rrjeti i transportit rrugor, hekurudhor dhe detar, që mbështeten nga BE-ja”.

Përfaqësuesi tjetër nga BE-ja, Luigi Bruso, tha se linja e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në veri të Kosovës kap vlerën prej 250 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.

“Njerëzit duhet të vijnë të shohin çfarë po bëjmë për Kosovën. Linja prej Hanit të Elezit deri në Veri, do të ketë kosto 250 milionë euro. Njerëzit e Kosovës duhet ta dinë se po bëjmë gjëra reale. Këto punë do të kompletohet për dy-tri vjet. Tani duhet ta dimë se po bëjmë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e ekonomisë. Është modernizimi i Kosovës dhe ne po punojmë”, tha ai.

Të ngjashme