Ministri Bytyqi vizitoi Bibliotekën më të madhe në botë

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 11:05 | Nga

Në kuadër të takimeve dhe vizitave në institucione të larta të arsimit dhe shkencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam vizituar Bibliotekën e Kongresit Amerikan, ku jam pritur nga z. Grant G. Harris, drejtor i Sektorit të Evropës.

I shoqëruar nga z. Grant, nga afër vizitova shumë dhoma të kësaj Biblioteke që është themeluar në vitin 1801 me synimin për të krijuar një koleksion me libra që mund t’i duheshin Kongresit amerikan dhe sot ajo është biblioteka më e madhe në botë. U njoftova nga z. Grant për rolin dhe rëndësinë e Bibliotekës, për historinë interesante të saj dhe të librave që ekzistojnë në këtë bibliotekë, e cila lidhet shumë edhe me emrin e ish presidentit të ShBA-ve, Tomas Jefferson.

Koleksioni i Thomas Jeffersonit është më i çmuari që ka biblioteka. Gjatë luftës së vitit 1812, pasi Biblioteka e Kongresit u shkatërrua, Jeffersoni vendosi t’ia shiste koleksionin e tij personal Bibliotekës, në mënyrë që të ringrihej fondi i saj.

Gjithashtu, u informova edhe për një numër të madh të titujve në gjuhën shqipe që posedon Biblioteka dhe u shpreha i lumtur për këtë fakt, pasi që Biblioteka e Kongresit Amerikan është e hapur për publikun dhe ka vizitueshmëri shumë të madhe.

Në Bibliotekën e Kongresit në Washington, ruhen disa libra të rrallë për Skënderbeun, madje dy prej librave u ekspozuan në Washington me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në përfundim të vizitës, në një takim të zhvilluar me z. Grant në zyrën e tij, ndër të tjera biseduam edhe për bibliotekat që ekzistojnë në Kosovë, e po ashtu përpjekjet për të pasuruar bibliotekat tona shkollore me tituj të rinj që janë në interes të përfitimit të njohurive nga nxënësit tanë.

Të ngjashme