Hoxhaj: Samiti i NATO-së shënoi një fazë të re për Kosovën

Prishtinë | 13 Kor 2016 | 17:07 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar ambasadorët e vendeve të Quntit në Kosovë, ambasadorin amerikan, Greg Delaëie, të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, të Gjermanisë, Angelika Viets, të Francës, Maryse Daviet dhe të Italisë, Piero Sardi.

Në këtë takim, të parin që pas emërimit të Hoxhajt ministër i Jashtëm, është diskutuar për prioritet e politikës së jashtme të Kosovës dhe veçmas përkushtimin e ministrit Hoxhaj për koordinim të ngushtë me të gjitha shtetet partnere amerikane dhe evropiane në agjendën ndërkombëtare.

Hoxhaj i ka siguruar ambasadorët se në mesin e prioriteteve kryesore është vendosmëria për të përdorur politikën e jashtme të Kosovës jo vetëm për të zgjeruar dhe ushtruar sovranitetin por edhe për qëllime të politikës së brendshme sikurse janë rritja e investimeve të huaja direkte në Kosovë.

“Si ministër i Jashtëm jam shumë i përkushtuar dhe mbetem i vendosur për të koordinuar ngushtë agjendën e Kosovës në politikën e jashtme me shtetet mike dhe partnere ndërkombëtare. Kjo do të ndodhë në baza ditore dhe në mënyrë strategjike për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare në 2016-2017, procesin e njohjeve dhe deri tek rritja e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Në këtë mandat do të përkushtohem veçmas për të përdorur politikën e jashtme për qëllime të brendshme sikurse është agjenda ekonomike” i ka siguruar Hoxhaj në takim ambasadorët.

Me këtë rast ministri e ka vlerësuar një fazë të re për Kosovën në raport me NATO-në Samitin e kësaj të fundit në Varshavë dhe deklaratën përfundimtare në të cilën shprehimisht theksohet vullneti për ti avancuar raportet mes NATO-së dhe Kosovës nga dhjetori i këtij viti.

Ministri Hoxhaj i ka informuar ambasadorët për Samitin e Parisit, si një e arritur e theksuar me ç’rast Kosova ka përfituar një projekt, nga tre të vetëm sa janë financuar.

Në takim ministri dhe ambasadori italian u dakorduan që të ketë një koordinim edhe më të ngushtë për projektet e ardhshme pasi Italia është organizatore e radhës vitin që vjen.

Fare në fund, mes zhvillimeve të tjera politike, Hoxhaj i ka informuar ambasadorët edhe për dialogun me Serbinë dhe nevojën për implementimin e marrëveshjeve të mbetura.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme