Ministri Mehaj kritikon stafin e tij për mostransparencë

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 21:47 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pasi Lëvizjes FOL ka deklaruar se nuk ka marrë përgjigje lidhur me aktivitetet e realizuara nga kjo Ministri për periudhën janar – qershor 2022.

Në publikimin e Lëvizjes FOL thuhet se “Ministria Mbrojtjes – në kuadër të Planit Strategjik Operacional për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 14 aktivitete, mirëpo nga kjo ministri s’kemi marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete”.

Lidhur me këtë, Mehaj ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për kërkesën e FOL-it dhe ka paralajmëruar masa për përgjegjësit brenda stafit të tij.

“Tani u informova që Ministria e Mbrojtjes, përkatësisht Zyra për Marrëdhënie me Publikun, nuk iu është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga organizata FOL, lidhur me realizimin e planit të punës në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo gjë është e pa pranueshme dhe në kundërshtim me praktikat e transparencës dhe llogaridhënies që i kemi instaluar që nga ardhja në qeverisje”.

“Menjëherë kam kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm që kjo çështje të trajtohet, të verifikohet fillimisht a janë përcjellë pyetjet te zyra jonë e mediave, pastaj të ndërmirren masa përkitazi me përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Tutje, ka thënë se vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes ka realizuar në përpikëri planin e punës 96 për qind, po ashtu ka shpenzuar buxhetin 96 për qind.

“Të dyja këto me përqindjen më të lartë të realizimit që ka pasur ndonjëherë, besueshmëria në Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë më e larta ndonjëherë, prandaj këto standarde të vendosura nga ne, do t’i mbajmë edhe në vazhdim. Përgjigjet në pyetjet e drejtuara nga organizata, do t’i keni të publikuara shumë shpejt”, ka përfunduar ministri.

Të ngjashme