Ministri Murati deklaron aksione në Netflix, Tesla e Volkswagen

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në janar të vitit të kaluar ka blerë aksione në platformën amerikane të filmave, serialeve dhe shfaqjeve televizive “Netflix”, raporton Gazeta Express.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për këtë vit, Murati ka shkruar se vlera e aksioneve të blera në “Netflix” kap shifrën e 8 mijë e 700 eurove.

Murati ka deklaruar po ashtu se posedon aksione edhe në tri kompani tjera të mëdha me renome ndërkombëtare si kompania prodhuese më e madhe e veturave në Gjermani, Volkswagen, në kompaninë tjetër gjermane të shërbimeve financiare, Allianz SE, si dhe në kompaninë e famshme amerikane për prodhimin e automjeteve elektrike, Tesla.

Ai ka deklaruar se ka aksione në vlerë prej 26,700 eurove në Tesla, 4 mijë e 300 euro aksione në Allianz, si dhe 6 mijë e 300 euro aksione në Volkswagen.

Por ai, sipas deklarimit të pasurisë, nuk ka arritur ta paguajë një kredi për blerjen e banesës me shitjen e aksioneve që i ka pasur.

Ai ka deklaruar se e ka në emër të tij një banesë 41 metra katror në vlerë prej 38 mijë eurosh, si dhe një tokë që ka vlerësuar se kushton 23 mijë euro.

Murati po ashtu ka deklaruar se e ka një veturë të blerë në vitin 2010, e që vlerësohet se kushton 3 mijë e 100 euro.

Ministri ka deklaruar se mban mbi 9 mijë e 270 euro para të gatshme në dy banka të vendit.

Të ngjashme