Ministri Selimi takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Abbott

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është takuar me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për punët, sfidat dhe prioritetet e tij për fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Me theks të veçantë, Ministri Selimi ka përmendur angazhimin e tij në avancimin e kornizës ligjore që ndihmon në reformimin e sistemit të drejtësisë, identifikimin dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe trajtimin me prioritet të lartë të masave që ka prodhuar nisma reformuese e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit disa prej të cilave do të finalizohen gjatë njëqind ditorit të parë të qeverisjes.

Ministri Selimi gjatë këtij takimi tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet partner i shtetit të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Drejtësisë, andaj në këtë kontekst ministri kërkoi që Britania të jetë përkrah Kosovës edhe në procesin e llogaridhënies.

“Qeveria Britanike mbetet partner kyç ndërkombëtar që mbështet konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Andaj, për ne është e rëndësishme që procesi i llogaridhënies të bashkëdyzohet me hisedarët tjerë, siç janë Britania e Madhe, ShBA-ja dhe BE-ja, të cilët kanë kontribuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, tha ministri Selimi.

Ndërsa Ambasadori Abbott tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partner për Republikën e Kosovës në luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.

Të ngjashme