Ministri Veliu del kundër kryeministrit Kurti, mbështet shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 23:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, del thotë se situata në Kosovë pas 19-të të infektuarve me Koronavirus është serioze dhe institucionet duhet të ndërmarrin masa – duke u referuar kështu në propozimin e presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Veliu, në një lidhje direkte në Klan Kosova, tha se Qeveria nuk ka mbajtur mbledhje për të vendosur se a të shpallet gjendje e jashtëzakonshme a jo.

Këto deklarata Veliu, i bëri vetëm pak çaste pasi zëvendëskryeministri i dytë Haki Abazi, në një konferencë për media tha se është e panevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, siç propozoi presidenti Thaçi.

“Pikë së pari Qevrria nuk ka mbajt mbledhje që a me u shpalle a jo gjendje e jashtëzakonshme. Sot është mbajt mbledhje e Këshillit të Sigurisë – situata në Kosovë është serioze, institucionet duhet të ndërmarrin gjitha masat, unë jam të merren gjitha masat, qofshin edhe ato ekstreme siç po quhen”, ka thënë Veliu.

Ministri Veliu, po ashtu ka thënë se katër komuna deri tani janë në karantinë dhe gjendja është serioze.

E shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishte kërkuar sot gjatë ditës nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka fol qartë”, kishte shkruar sot Mustafa.

Të ngjashme