Ministrja e Drejtësisë u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu së bashku me këshilltarin e lartë z. Genc Nimoni dhe asistenten ekzekutive, znj. Berita Abazi u pritën në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Jetish Maloku si dhe zëdhënësi i Prokurorisë Speciale z. Ekrem Lutfiu.

Në këtë takim Ministrja Haxhiu u njoftua me sfidat dhe arritjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës e në veçanti edhe për nevojën e ndryshimit të Ligjit për përgjegjësitë disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve që i hap rrugëm zbatimit të duhur të tij.

Më tej u trajtuan edhe vështirësitë në bashkëpunim me institucionet e tjera, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me problemet në administratën e sistemit të drejtësisë, për të cilat të dy palët u zotuan për bashkëpunim për t’i adresuar dhe zgjidhur ato.

Në anën tjetër ministrja Haxhiu, qartësoi prioritetet e saj, duke filluar me vendosmërinë në luftimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimin e krimeve të luftës dhe rasteve të dhunës në familje. Lidhur me këtë u diskutua edhe për rëndësinë e vetingut në sistemin e drejtësisë, rishikimin funksional- adresimin e çështjeve mospajtuese që kanë të bëjnë me të.

Të dy palët u dakorduan për bashkëpunim dhe për të bashkërenduar përpjekjet për të arritur sa më shumë progres në sfidat e cekura.

Të ngjashme