Ministrja Gërvalla takoi kryediplomaten suedeze Ann Linde

Prishtinë | 08 Kor 2021 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ministren e Jashtme të Suedisë, njëherësh kryesuese e radhës së OSBE-së, znj.Ann Linde.

Ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimit të Suedisë si kryesuese e OSBE-së. Homologet patën rastin të shkëmbejnë mendime edhe për çështje bilaterale mes Kosovës dhe Suedisë.

Palët diskutuan për prioritetet e Suedisë në kuadër të kryesimit të OSBE-së, duke vendosur theksin në konceptin gjithëpërfshirës dhe qasjen shumë-dimensionale që ndërthur çështje që lidhen me sigurinë politike, ekonomike, të drejtat e njeriut dhe demokracinë.

Duke folur për agjendën e grave, kryediplomatja Linde vlerësoi se Kosova është shembull i mirë i përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse duke përmendur pozitën e presidentes, ministreve e deputetet.

Ministrja Gërvalla theksoi nevojën për inicim të projekteve të veçanta për të zbutur papunësinë e sidomos tek gratë. Në këtë drejtim e njoftoi homologen e saj me përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të krijuar një klimë të përshtatshme për tërheqje të investimeve që do të mundësonin hapje të vendeve të reja të punës.

Në takim u theksua edhe nevoja që të trajtohen me seriozitet çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, lirinë e medias si dhe nevoja për reformë zgjedhore.

Nga ana tjetër sa i përket bashkëpunimit bilateral, mes Kosovës dhe Suedisë, kryediplomatet biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve. Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova është shumë mirënjohëse për miqësinë dhe mbështetjen e madhe të shtetit të Suedisë në të gjitha fushat.

Po ashtu folën për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi si dhe për bashkëpunimin rajonal.

Të ngjashme