Ministrja Haradinaj flet me koordinatorin amerikan: Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjes

Prishtinë | 08 Tet 2020 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Koordinatorin Kundër Terrorizmit nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj Stublla përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter.

Haradinaj Stublla tregon se u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe Rajon. Gjithashtu, në telefon diskutuan edhe për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

“Në një thirrje të rëndësishme me Koordinatorit Kundër Terrorizmit në Departamentin e Shtetit, ambasadorin Nathan Sales, ku diskutuam për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë, në Kosovë dhe Regjion. Gjithashtu u diskutua edhe për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit”, shkruan Haradinaj Stublla.

Tutje, Haradinaj ka shkruar se ka informuar SHBA’të se Kosova është e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

“Informova Ambasadorin Sales se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes dhe vlerëson thellësisht përkushtimin e lidershipit amerikan në zbatimin e angazhimeve tona të ndërmarra në marrëveshje”, shkruan Haradinaj Stublla.

Gjithashtu ajo tha se Sles vlerësoi lartë kontributin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

“Kontributi i Kosovës në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar u vlerësua shumë, veçanërisht roli si anëtar në koalicionin Global kundër DAESH”, përfundoi Haradinaj Stublla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme