Ministrja Haradinaj – Stublla uron popullin zviceran për Ditën Kombëtare

Prishtinë | 01 Gus 2020 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj – Stublla, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, ka shprehur urimet më të përzemërta popullit zviceran.

“Lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën më të vështirë të viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, për t’i shpëtuar regjimit gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit. Atje gjetën strehë, punë, shkollim, e prosperitet, por nuk harruan të ndihmojnë Kosovën në çlirim, rindërtim, dhe shtetndërtim. Pikërisht kjo lidhje dhe kontribut gjithëpërfshirës – e bën Zvicrën ndër aleatët më të mëdhenj të Kosovës”, tha kryediplomatja e Kosovës.

Me këtë rast ajo Ministrja ka kujtuar që Zvicra kishte qenë vendi i parë, që në Këshillin e Sigurimit zyrtarisht kishte përmendur dhe mbrojtur qëndrimin se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

“Diaspora jonë atje, sot kontribuon në secilin aspekt të jetës publike, ekonomike, e zhvillimore të Konfederatës Zvicerane. Kosova mburret me arritjet e diasporës sonë atje, të cilët vazhdojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet tona të veçanta”, tha Ministrja Haradinaj – Stublla.

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar e fuqizuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Zvicrën në të gjitha aspektet bilaterale.

Të ngjashme