Ministrja Reshitaj në Washington takon drejtuesit e MCC-së

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 15:26 | Nga

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit, Hapësinor, Albena Reshitaj, po vazhdon takimet e  rëndësishme me drejtues dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme amerikane në Washington.

Ministrja Reshitaj është pritur nga drejtuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit  (MCC), kryesuar nga drejtori, Jonathan Nash.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe  nënkryetari i Departamentit të Politikave dhe Vlerësimit Thomas Kelly, drejtori Menaxhues i Programit te Përkrahjes James Gerard, Carolyn Wetzel Chen, zv. Drejtore dhe Udhëheqëse e Projektit për Menaxhimin e të dhënave të Mjedisit në Kosovë dhe Jenny Niedinger, zyrtare e Politikave dhe Vlerësimit.

Sipas një komunikate nga MMPH, temë kryesore e diskutimit në këtë takim ishte definimi i projektit për matjen dhe publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Kosovë.

Ministrja Reshitaj është shprehur e kënaqur që një pjesë e programit të MCC-së është mbështetja për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

Sipas ministres Reshitaj kjo mund të arrihet duke nxitur qasjen e bazuar në të dhëna, pasi informacioni i saktë dhe në kohë është thelbësor për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në fushat mjedisore që ndikojnë në realitetin dhe perceptimin e shoqërisë civile.

“Është shumë e rëndësishme, mbështetja që ju do t’i jepni institucionit tonë për të monitoruar dhe raportuar në mënyrë efektive treguesit e përzgjedhur mjedisorë. Ky aktivitet do të forcojë aftësinë e shoqërisë civile për të interpretuar të dhënat dhe për t’u angazhuar në mënyrë  produktive në këto çështje”, ka deklaruar ministrja Reshitaj.

Gjithashtu, është thelbësore mbështetja që MCC do t’i japë Agjencisë Kosovare të Mbrojtjes së Mjedisit, përgjegjëse për raportimin e të dhënave mjedisore dhe Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, përgjegjës për mbledhjen e të dhënave mjedisore.

Sipas komunikatës udhëheqësit e MCC-së ri konfirmuan mbështetjen e tyre për Kosovën, duke theksuar se bashkëpunimi me ministrinë e mjedisit e ne veçanti me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit është shumë i rëndësishëm në arritjen e progresit në fushën e mjedisit e në veçanti në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Po ashtu ata potencuan rëndësinë e matjes dhe transparencës në publikimin e të dhënave për cilësinë e ajrit.

Ministrja Reshitaj po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të Bankës Botërore.

Ajo ka marrë pjesë në konferencën  “Qeverisja e tokës në një botë të ndërlidhur”. Ministrja do të këtë edhe takime tjera me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të USAID-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme