Tahiri takon një grup të këshilltarëve nga komunat veriore

Prishtinë | 22 Nën 2016 | 14:40 | Nga

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri, ka pritur sot në takim një grup të këshilltarëve shqiptarë të komunave veriore të Republikës së Kosovës. Në këtë takim ishte prezentë deputetja Safete Hadërgjonaj, e cila inicioi këtë takim, si dhe këshilltari politik Dren Zeka.

Ndërsa nga ana e këshilltareve komunal ishin Bashkim Cimili dhe Emir Azemi nga komuna veriore e Mitrovicës, Sefer Veseli, nënkryetar i komunës së Zubin Potokut dhe Faik Kelmendi nga komuna e Zveçanit.

Në këtë takim, ministrja Tahiri theksoi se marrëveshjet e dialogut të Brukselit kontribuuan për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit tonë, si dhe në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme atje.

“Ato kanë kontribuar në shuarjen e strukturave paralele dhe integrimin e komunitetit serb të asaj pjese në sistemin e Republikës së Kosovës”, tha ministrja Tahiri, duke shtuar se këto kanë qenë qëllimet kryesore të dialogut të Brukselit, i cili po ndihmon në fqinjësi të mirë mes dy shteteve, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Më tutje, ministrja Tahiri tha se ky dialog po e mundëson forcimin e sovranitetin shtetëror në gjithë territorin e vendit tonë, shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit.

“Ne kemi arritur që të vendosim sovranitetin dhe ligjshmërinë në shumë fusha duke vendosur funksionimin e komunave legale, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, ku falë dialogut të Brukselit katër komunat veriore morën pjesë për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës”, tha Ministrja.

Duke theksuar angazhimin dhe vendosmërinë e Qeverisë, ministrja Tahiri theksoi janë shuar strukturat paralele në fushën e doganave dhe policisë, është vendosur kufiri ndërshtetëror dhe autoritetet shtetërore në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në saje të marrëveshjeve të Brukselit, është bërë shuarja e të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile”, ish-pjesëtarët e së cilës i kemi integruar në institucionet e Republikës së Kosovës. Poashtu, ministrja Tahiri përmendi shuarjen e strukturave paralele të drejtësisë dhe vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë në veri të vendit në bazë të ligjeve të Kosovës.

Ministrja Tahiri foli po ashtu për procesin e vendosjes së një numri të madh institucionesh qendrore që kanë veprimtari lokale, gjithsejtë 23 ministri dhe agjenci, ku përgatitjet e objekteve për vendosjen e zyrave janë në fazën finale. Ajo shtoi se po hapen zyrat në veri dhe do të fillojë pajisja e qytetarëve me dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile të Republikës së Kosovës.

Këshilltarët komunal kërkuan më shumë angazhime nga Qeveria për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe punësimin, si dhe u ankuan që projektet zhvillimore komunale po i diskriminojnë shqiptarët atje.

Ishte konstatim i përbashkët, se gjendja e sigurisë është përmirësuar dukshëm në komunat veriore, ashtu siç është përmirësuar lëvizja e lirë, sidomos tash edhe me heqjen e barrikadave në atë pjesë.

Ministrja Tahiri premtoi se Qeveria e Kosovës do të angazhohet që kërkesat e tyre të trajtohen dhe zgjidhen, dhe se në kuadër të dialogut janë ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar zhvillimin ekonomik duke akorduar një fond për zhvillim duke marrë për bazë rrethanat atje, që demonstrojnë përkushtimin tonë si Qeveri që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme