Miratohet pakoja e ligjeve të Agjendës së Reformës Evropiane për drejtësinë

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 20:49 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë seancës plenare, e cila vazhdoi prej orës 18, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan këto projektligje: Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, i cili kaloi me 71 vota për; Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë, me 63 vota për; Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me 70 vota; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgimi në Kosovë, me 67 vota; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për procedurën jokontestimore, me 62 vota; Projekt-kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Para se të votohej Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë, Albulena Haxhiu tha se Komisioni për Legjislacion nuk pajtohet me konceptin e konfiskimit të pasurisë, për shkak se, sipas tyre, jo domosdoshmërisht duhet të jetë hetim gjyqësor për t’iu konfiskuar dikujt pasuria, raporton Ekonomia Online.

“Në emër të komisionit ftoj ta miratojnë. Nuk pajtohemi me konceptin e konfiskimit të pasurisë. Jo domosdoshmërisht duhet të jetë hetim gjyqësor për t’iu konfiskuar dikujt pasuria. Për këto dhe shumë arsye tjera organet e drejtësisë kanë dështuar në ndjekjen e kriminelëve, ne nuk e përkrahim. Mendojmë se Kosova ka nevojë për ligjin anti-mafia”.

Për shkak se ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, nuk ishte i pranishëm, interpelanca e thirrur sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës, nuk u zhvillua, raporton EO.

Lidhur me Projektligjin për peticione, Teuta Haxhiu tha se ky projektligj është plagjiaturë, pasi që, sipas saj, ka qenë dokument i komisionit më parë.

Pas kësaj, deputetja Albulena Haxhiu ka reaguar duke e kërcënuar deputeten Teuta Haxhiu me padi për shpifje.

“Mos bëni që t’iu padisë për shpifje. Është e vërtetë që ka pasur një dokument, mirëpo ne po kërkojmë plotësimin e tij”.

Teuta Haxhiu iu kundërpërgjigj duke thënë se deklaratat e saj nuk janë shpifje.

“E keni pa edhe në Facebook që po më kërcënojnë për çka të dojnë dhe kur të dojnë. Nuk janë shpifje, asnjëherë nuk flas pa dëshmi. Flas në emër të komisionit dhe komisioni kërkon që të mos votohet ky projektligj”.

Lidhur me shqyrtimin e parë të Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi kërkoi miratimin e tij sepse, sipas tij, është i domosdoshëm dhe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, raporton EO.

“Ky projektligj nuk përmban elemente diskriminuese dhe nuk nevojiten mjete buxhetore. Kërkoj të miratohet, sepse është i domosdoshëm dhe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve tanë”.

Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca e sotme e Kuvendit u ndërpre.

Të ngjashme